Banorët e ‘5 Majit’, Paskuqanit e Laprakës dolën sërish ditën e sotme në protestë! Protesta kulmoi me ardhjen e kryeministrit Edi Rama, i cili zgjodhi një përfaqësi të tyre për të diskutuar në ambientet e Kuvendit.
Kreu i qeverisë mori Nënë Lizën dhe 2 banorët e tjerë për të diskutuar në zyrë.
Rama tha pas takimin me banorët protestues se do ketë trajtim me dinjitet për të gjithë banorët.
“Kemi patur një bisedë intensive dhe unë kam sqaruar atë që ka qenë e vërteta që në ditën e parë, por e vërteta këtu i ka të vështira rrugët se ka shumë kthesa edhe të qëllimshme. Për të gjithë banorët qoftë të 5 Majit, Unazës që janë të ndarë në dy kategori do ketë një trajtim të dinjitetshëm njerëzor solidar. Për ata që janë pa letra fare përsëri qasja është solidare, nuk është hedhja në rrugë. U shpjegova se kanë marrë njoftim. Shtëpia që është pa leje prishet dhe familja merr kompensimin me shtëpi njësoj si ato që mbetën pa shtëpi nga tërmeti dhe deri në marrjen e shtëpisë paguhen më bonus qiraje.” deklaroi Kryeministri
Por nënë Liza është shfaqur skeptike pas takimit të saj me kryeministrin Edi Rama sa i takon çështjes së banesave në lagjen ‘5 Maji’.
Në një prononcim për mediat, e moshuara tha se nuk i beson ato çka bisedoi me Ramën, pasi do një kontratë të firmosur me vulë.
“Nuk besoj mor gjallë, i merr era. S’kam për të dalë nga shtëpia. Kontratën nuk e kam marrë. Dua kontratën me bashkinë, me vulë, me noter. Atëherë ulem unë. Kur ta firmosë kryebashkiaku. Nuk e fal se nuk kam mundësi, i kam falur boll. I dua të gjitha metrat katrorë. Unë vilë e kam pasur. Si kërkova vilë, por siç e kam pasur. E kam pasur në proces legalizimi. Kontratën do e firmos kur të vijë kryetari i Bashkisë, ai e vendos. S’ka asnjë afat, asnjë garanci. Se kur do bëhet pallati se dimë. Kryeministri thotë: do e merrni. Por kur do e marrim? S’kemi marrë asnjë garanci.” tha ajo.