Barazia gjinore është kthyer në nivelet që ishte globalisht para pandemisë COVID-19, por ritmi i progresit është ngadalësuar. Këtë e tregon Raporti Global i Hendekut Gjinor nga Forumi Ekonomik Botëror. Sipas këtij dokumenti, në mbarë botën, vendet kanë bërë progres vetëm me 0.3%, në krahasim me vitin e kaluar. Viti kur kjo agjenci pret që të arrihet barazia gjinore është 2154-ta.
Sa i përket barazisë gjinore në rajon, kryeson Shqipëria që renditet e 17-ta, më mirë nga të gjithë. Ndërsa Kosova nuk listohet në mesin e 146-shes në radhitjen e vendeve, Serbia rezulton e 38-ta, Mali i Zi i 69-ti, Maqedonia e Veriut e 73-ta dhe Bosnjë-Hercegovina e 86-ta.
Listën e kryesojnë Islanda, Norvegjia e Finlanda, ndërsa në fund të saj janë Algjeria, Çadi e Afganistani. Në raport thuhet:
Gjatë vitit 2023, arritjet më të mëdha janë shënuar në fushën e arsimit e ku 117 nga 146 vendet pjesë e këtij indeksi, kanë mbyllur të paktën 95% të hendekut të barazisë gjinore. Në anën tjetër, fuqizimi politik qëndron dukshëm më keq, edhe në krahasim me barazinë gjinore në pjesëmarrjen ekonomike.
Barazia ka përparuar vetëm 4.1% që nga publikimi i parë i këtij raporti në vitin 2006. Me kalimin e kohës, intensiteti i përmirësimit është ulur e për këtë arsye vlerësohet se për arritjen e barazisë gjinore do të duhen dhe 131 vjet.
Për arritje gjinore në fushën e ekonomisë, vlerësohet se do të duhen 169 vjet, ndërsa për barazinë politike, 162, nisur nga normat aktuale të progresit. Saadia Zahidi, drejtore menaxhuese e Forumit Ekonomik Botëror:
Përderisa pati shenja inkurajuese të rimëkëmbjes në nivelet e para pandemisë, gratë vazhdojnë të mbajnë peshën kryesore të krizës aktuale të kostos së jetesës dhe ndërprerjeve të tregut të punës. Ne nuk mund të lejojmë ta humbasim vrullin në pjesëmarrjen ekonomike të grave.
Raporti Global i Hendekut Gjinor shënon evolucionin e hendekut të barazisë gjinore në katër fusha: pjesëmarrjen ekonomike, arritjet arsimore, shëndetësi e mbijetesë, si dhe fuqizim politik.