Me 77 vota pro dhe 36 kundër, mbrëmë në Kuvend u miratua projektligji i shumë debatuar e kundërshtuar për barazinë gjinore.
Kujtojmë se më herët dje, përfaqësues të komuniteteve fetare, protestuan para Kuvendit për ta kundërshtuar, duke e quajtur “kriminal” dhe “kundër familjes”. Opozita mbështeti protestën të cilës iu bashkuan qytetarë e aktivistë.
Me pankarta me mbishkrime: “Martesa burrë grua”, “Ka vetëm dy gjini, mashkull femër” , “Nëna është grua”, pjesëmarrësit shprehën kundërshtinë ndaj këtij projektligji, që sipas tyre “cënon familjen tradicionale shqiptare”.
Sipas protestuesve, “shqetësues është fakti i orientimit të fëmijëve drejt përzgjedhjes seksuale, pasi ata theksojnë disa nene të tij për ideologjizimin e fëmijëve, duke ndryshuar dhe transformuar kurrikulat shkollore”.
Po në Kuvend, me 77 vota u rrëzua kërkesa e Partisë Demokratike për ngritjen e komisionit hetimor për shkarkimin e Presidentit të Republikës, Bajram Begaj. Me këtë votim ndërpritet edhe procedura e kërkuar nga opozita për shkarkimin e kryetarit të shtetit.
Ndërkaq, në seancën maratonë, opozita bashkoi votat me Partinë Socialiste vetëm për Komisionin e Posaçëm të Reformës Zgjedhore dhe që u miratua me 105 vota pro.
Ndër të tjera, u miratua rishikimi për herë të tretë i buxhetit të shtetit për vitin 2025, që parashikon rritjen e të ardhurave dhe të shpenzimeve, si dhe dhënien e bonusit për pensionistët në fundvitit në vlerat 100-150 euro.
Seanca plenare që u mbyll pa u shqyrtuar të gjitha pikat për shkak të debateve që shkaktoi deklarata e Berishës kundër ambasadorit të BE-së, i dha dritën jeshile edhe paketës ligjore me tre akte normative kundër ndërtimeve pa leje. Aktet u miratuan me nga 77 vota pro.
Ndryshe nga projektligji “Për barazinë gjinore” që kaloi me 77 vota pro dhe 36 kundër, propozimi i opozitës “Për gjendjen civile”, i ndryshuar, nuk arriti të miratohej, pasi u votua me 34 vota pro, 0 abstenim, 77 kundër.
Pas seancës plenare, një grup qytetarësh që protestuan dje paradite kundër pr.ligjit të barazisë gjinore, ishin sërish jashtë Kuvendit ku pritën deputetët e PS-së me protesta e pankarta.
Për opozitën, ky ligj dëmton thelbin e familjes, por kryetari i grupit socialist, Taulant Balla sqaroi se përkatësi e shumëfishtë është term social që lidhet me ligjin e diskriminimit, pasi gjinitë mbeten vetëm dy: burrë dhe grua.