Ndonëse para pak ditësh hyri në fuqi lista me barnat e rimbursueshme, 9 prej tyre disa prej të cilave alternativa të vetme dhe të para mungojnë nëpër farmaci. Udhëzimet e Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor kanë kufizuar përdorimin e tyre dhe ndërprerjen e trajtimit për disa pacientë, siç ishte rasti i 300 pacientëve me sëmundje reumatologjike. Drejtori i Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor, Eduart Ahmetaj tha se janë duke u lidhur kontratat me importuesit dhe brenda dy javësh kjo situatë do të zgjidhet. Ndërkaq ai tha se: “Shpresoj shumë të mbyllet brenda afatit dhe afati është dy javë. Shpresoj që mund të mbyllet edhe para afatit. Fondi është duke punuar dhe i angazhuar që kjo të mbarojë sa më parë. Edhe për raste të tjera jemi duke marrë shqetësimet dhe jemi duke i pasqyruar ato në udhëzimet tona, duke i zgjidhur në përputhje me objektivin tonë që çdo qytetar, që ka një diagnozë që e përfshin lista e barnave të rimbursueshme t’i mundësohet mjekimi përkatës në përputhje me këtë listë dhe udhëzimet e dala në zbatim të saj”, thotë kreu i Fondit.