Politikë

Basha: Rezultati i reformës në drejtësi, zero!

Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha në një intervistë për “Zërin e Amerikës”, tha se “Vetting-u i gjyqtarëve dhe prokurorëve po ecën me ritme të ngadalta”. Ndërkaq ai tha se: “Partia Socialiste votoi për të prerë me 40% buxhetin e propozuar nga organet e Vettingut. Tani organet e Vettingut nuk janë në gjendje të përparojnë me ritmet e duhura, duke vënë në pikëpyetje kalendarin e reformës në drejtësi”. Basha ka vijuar të thotë se Partia Socialiste në vend që të tërheqë mbrapsht miratimin e njëanshëm të ligjit të Vettingut, po propozon për të krijuar institucione jashtë kuadrit të reformës në drejtësi. “E ka bërë këtë me prokuroren e Përgjithshme, e cila u emërua në kundërshtim me Kushtetutën, tani do t’i japë kësaj prokurore të Përgjithshme dhe KLD-së kompetenca për të futur pa Vetting dhe jashtë procedurave kushtetuese kandidatë në sistemin e drejtësisë. Nuk kemi asnjë bandë të krimit të organizuar të çmontuar, nuk kemi asnjë kokë të krimit të organizuar para gjykatës, nuk kemi asnjë politikan të lidhur me krimin, apo të korruptuar para drejtësisë. Pra, rezultatet e reformës në drejtësi janë akoma zero”, përfundoi së thënuri Basha.