Bashkimi Europian i bën thirrje kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksander Vuçiç që të pranojnë ftesën për pjesëmarrje në takimin e krizës në Bruksel, duke mos vendosur asnjë kusht. Përfaqësuesi i lartë i BE-së për Politikën e Jashtme dhe Sigurinë, Josep Borrell i ka ftuar për një takim gjatë kësaj jave, në mes të tensioneve të rritura mes dy shteteve.
BE-ja ka paralajmëruar se mospërfillja e kësaj ftese mund të ketë pasoja për palët. Presidenti i Serbisë, ka refuzuar të takohet me Kurtin, ndërsa ky i fundit ende nuk ka vendosur nëse do të marrë pjesë në takimin e Brukselit.
Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano tha se Borrell ka ftuar dy liderët për t’u takuar në Bruksel “për të gjetur dalje nga kriza” e “për t’u kthyer në rrugën e dialogut”.
Data nuk është caktuar ende sepse palët nuk e kanë konfirmuar pjesëmarrjen. Borrell pret një sjellje më të përgjegjshme nga të dy liderët. BE pret që ata të vijnë pa kushtëzime. Blloku europian po e përcjell situatën për të parë nëse palët palët janë gati për të gjetur zgjidhje.
Ai shtoi se sot gjatë takimit të ministrave të BE-së, çështja e tensioneve mes Kosovës dhe Serbisë do të jetë në axhendë.
Ftesa e Borrellit është ofertë dhe mundësi. Nuk është ftesë për të kënaqur Brukselin, por është për nevojën që të ulen tensionet e për të ardhmen europiane të qytetarëve të Kosovës dhe Serbisë. E për këtë, askush tjetër përveç Vuçiçit e Kurtit nuk është përgjegjës.
Stano u pyet dhe për situatën aktuale e fatin e tre policëve të Kosovës që gjenden në paraburgim në Serbi.
Për fat të mirë nuk pati përshkallëzim të ri fizik në terren, por ende nuk kemi parë as hapa konkretë të menjëhershëm për shtensionim. Prandaj dhe i kemi ftuar të dy liderët në Bruksel, për të punuar në uljen e tensioneve dhe për hapa konkretë.