Kur udhëheqësi i Kinës, Xi Jinping, të presë homologun e tij amerikan në Pekin këtë javë, Donald Trump do të kujtojë vizitën e tij të fundit në vitin 2017 – ku u prit me madhështi, duke përfshirë një darkë brenda Qytetit të Ndaluar, një nder që asnjë president amerikan para tij nuk e kishte marrë.
Pritja e kësaj jave premton të jetë po aq madhështore, duke përfshirë një ndalesë brenda Zhongnanhai, kompleksit ekskluziv ku jeton dhe punon udhëheqja e lartë e Kinës. Agjenda gjithashtu do të jetë po aq e mprehtë, me Iranin si një burim i ri tensioni, krahas tregtisë, teknologjisë dhe Tajvanit.
Por shumë gjëra kanë ndryshuar ndërsa Trump rikthehet në një Kinë më të fortë dhe shumë më asertive. Tashmë i stabilizuar mirë në një mandat të tretë të paprecedentë, një Xi ambicioz ka ecur përpara me planet për “forca të reja prodhuese” me investime të mëdha në energjinë e rinovueshme, robotikë dhe inteligjencën artificiale.
Nëse presidenti amerikan dhe administrata e tij duan të shohin një fragment të së ardhmes që Pekini ka synuar në dekadën e fundit, ata duhet të shohin përtej zemrës imponuese të kryeqytetit ku do të kalojnë pjesën më të madhe të kohës.
Në veriun e largët dhe të thyer, energjia diellore dhe ajo e erës tani dominojnë peizazhet e pafundme. Në jugun industrial, automatizimi po riformëson fabrikat dhe zinxhirët e furnizimit, ndërsa megacity-t si Chongqing janë bërë kryefjala e rrjeteve sociale.
Miliarda fonde shtetërore e kanë shndërruar Chongqing-un, një qendër e rreptë prodhimi në thellësi të jugperëndimit, në një simbol fuqie të një Kine në ndryshim që po përqafon teknologjinë e re, tregtinë e re dhe një mbiemër të ri – trendy – ndërsa përpiqet t’i tregojë botës një fytyrë më miqësore.
Në vitin 2017, Kina po përpiqej të provonte se ishte në pozitë të barabartë me SHBA-në, thotë Ali Wyne, këshilltar i lartë kërkimor për marrëdhëniet SHBA-Kinë në International Crisis Group. “Mendoj se delegacioni kinez shpenzoi një përpjekje të jashtëzakonshme diplomatike për të përcjellë përshtypjen se Presidenti Xi ishte i barabarti gjeopolitik i Presidentit Trump. Ajo që më duket goditëse është se këtë herë ky pohim nuk është i nevojshëm nga ana e kinezëve.”
Uashingtoni tani e njeh Kinën si një “rival pothuajse të barabartë”, thotë Wyne, i cili e përshkruan Pekinin si “ndoshta konkurrentin më të fuqishëm me të cilin Shtetet e Bashkuara janë përballur në historinë e tyre”.
‘Amerika e Para’ kundrejt lojës afatgjatë të Kinës
Trump, nga ana tjetër, mund të jetë udhëheqësi i huaj më i paparashikueshëm që Kina ka hasur ndonjëherë. Ai madje ka një pseudonim këtu – Chuan Jianguo, që do të thotë “Trump ndërtuesi i kombit”. Në internet, shumë kinezë besojnë se politikat e tij përçarëse dhe luftërat tregtare kanë ndihmuar rritjen e Kinës duke dobësuar qëndrimin global të Amerikës.
“Ai nuk çan kokën fare për pasojat,” thotë një burrë i moshës së mesme me pushime në Chongqing. “Ai duhet ta dijë se ndajmë të njëjtën botë. Është një fshat global. Ai nuk duhet të vërë gjithmonë Amerikën të parën.” Ai thotë se nuk dëshiron të tregojë emrin e tij ndërsa qëndron mes turmave që mblidhen në pikat e vrojtimit për një pamje të horizontit të Chongqing-ut të ndriçuar me neone. “Kina ka bërë strategji largpamëse për dekada,” shton ai, ndërsa “kryeqyteti cyberpunk” i botës ndizet pas tij në muzg.
Chongqing është gdhendur nga malet sepse ndërtuesit nuk kishin ku të shkonin tjetër përveçse lart. Rrugët ngjiten dhe rrotullohen rreth kodrave të thikta, ndërsa metroja lëviz poshtë dhe më pas përmes kateve të ndërtesave. Çdo gjë mbivendoset për të krijuar atë që gazetarët e udhëtimeve e kanë quajtur qyteti “8D” i Kinës.
Ky është një qytet që ofron një dritare në përpjekjen e Pekinit për të rivalizuar fuqinë amerikane në më shumë se një mënyrë. Kina ka mprehur “fuqinë e saj të butë” (soft power) dhe po u ofron turistëve të huaj hyrje pa viza. Rreth dy milionë prej tyre e vendosën Chongqing-un në listën e vendeve që duhen vizituar vitin e kaluar, krahas Pekinit dhe Shangait.
Por rritja spektakolare e Chongqing-ut ka një kosto. Ndërtimi i tij ka përfshirë një nga përpjekjet më të mëdha të vazhdueshme të ndërtimit urban në historinë moderne. Dhe qeveria lokale, me një popullsi prej mbi 30 milionë banorësh, tani është shumë në borxhe. Një ekonomi e ngadaltë dhe një sektor imobiliar në vështirësi nuk po ndihmojnë.
Përtej horizontit futuristik të qytetit janë lagjet e vjetra ku punëtorët ndajnë pako ose shesin fruta dhe perime me shpresën për të fituar pak dollarë në ditë. Tarifat e Trump dhe tani lufta SHBA-Izrael në Iran po godasin pikat e presionit në ekonominë kineze ndërsa çmimet e shtëpive bien, papunësia rritet dhe konsumi i ulët vazhdon.
Përmes gjithë kësaj, kontrolli autoritar i Partisë Komuniste Kineze ka mbetur i palëkundur. Shumë kinezë hezitojnë të flasin për politikë dhe dehedhe pse kanë një mesazh për Trump, nuk donin të tregonin emrat e tyre. “Dua t’i them Donald Trumpit të ndalojë së trazuari gjërat,” thotë një estetiste thonjsh, investimet e së cilës kanë pësuar rënie për shkak të krizës në ekonominë globale pas konfliktit në Lindjen e Mesme.
Megjithatë, disa të rinj e shohin SHBA-në si një fanar lirie dhe mundësie. “Kur mendoj për SHBA-në, mendoj për lirinë e saj dhe se njerëzit atje mund të gjejnë personalitetin e tyre dhe të zbulojnë potencialin e tyre,” thotë një studente mode.
Gara: Nga robotët te makinat elektrike
Në një laborator model dykatësh në Chongqing, një grup fëmijësh kopshti gajasen nga gëzimi ndërsa shohin një peshk robotik që noton në një akuarium. Robotë të tjerë humanoidë marrin jetë dhe tregojnë lëvizje kung-fu ose kërcime moderne.
Kina ka tashmë numrin më të madh të robotëve industrialë në fabrikat e saj, dhe shteti planifikon të investojë rreth 400 miliardë dollarë në robotikë vetëm këtë vit. Chongqing synon të bëhet “Silicon Valley” i Kinës perëndimore. Por këtu dhe në mbarë vendin, robotika kineze mund të ketë nevojë për ndihmën amerikane.
Robotët kanë nevojë për një “tru” që punon shpejt dhe kjo është arsyeja pse Kina dëshiron të blejë më shumë çipa AI të nivelit të lartë nga firma amerikane Nvidia. Kjo mund të jetë një pikë mosmarrëveshjeje në takimin e kësaj jave.
Ndërsa Kina dhe SHBA luftojnë për supremaci teknologjike, analistët besojnë se ekziston një shqetësim më i madh me rritjen e AI. Disa i frikësohen faktit se një aktor i keq me një laptop në një bunker mund të hakeronte shërbimet shëndetësore ose të gjente kodet e lëshimit bërthamor, duke argumentuar se ky është një moment që të dy udhëheqësit të mendojnë për të mirën e përbashkët.
Konkurrenca sigurisht që do të diktojë agjendën. Kina tashmë ka bërë gjithçka që mundet për të siguruar që të mos mbështetet te SHBA si partneri i saj kryesor tregtar. Eksportet e Kinës drejt SHBA-së kanë rënë me rreth 20% në vitet e fundit dhe Amerika është tani partneri i tretë tregtar i Kinës, pas Azisë Juglindore dhe Bashkimit Evropian.
Ceremonitë e vizitës së fundit të Trump nuk e penguan SHBA-në të vendoste tarifa të mëdha mbi mallrat kineze dhe Pekini e nxori mësimin e tij. Kur Trump u bë kandidati kryesor presidencial në vitin 2024, zyrtarët kinezë nisën punën. Ata morën pjesë në mbledhjet e grupeve të mendimit (think tanks) në Uashington ndërsa dëgjonin sërish paralajmërimet e tij për tregtinë “e padrejtë”.
“Ne nuk mbështetemi te tregu i SHBA-së,” thotë Lucia Chen, e cila shet makina elektrike për Sahiyoo, një firmë në Chongqing. Ky qytet udhëheq vendin në prodhimin e makinave, duke mbështetur pozicionin e Kinës si prodhuesi më i madh i makinave në botë.
Edhe pse kriza në Lindjen e Mesme vazhdon, Trump po vjen në Kinë pjesërisht për t’u përpjekur t’i japë fund luftës. Ai do të shpresojë për ndihmën e Kinës për të ndërmjetësuar një marrëveshje me mikun e saj, Teheranin – një tjetër shenjë e rolit tani kyç të Pekinit në skenën botërore.
Një dritare drejt së ardhmes?
Për Kinën, fitorja mund të qëndrojë në një vizitë shtetërore të qetë dhe mirë të organizuar. Një marrëveshje tregtare do të ishte një lehtësim i madh, por edhe pa të, një vizitë presidenciale amerikane pas gati një dekade përforcon mesazhin e Xi – se Kina është e hapur për biznes dhe për botën.
Kjo është Kina që Xi dëshiron që bota të shohë më shumë, ndërsa ai përpiqet ta portretizojë veten si një fanar stabiliteti në kontrast me një Trump të paparashikueshëm. Tashmë në vitin e fundit që kur Trump erdhi në pushtet, rendi botëror ka ndryshuar ndjeshëm, duke forcuar pozitat e Pekinit.
Qasja e tij “Amerika e Para” ka bërë që aleatët dhe rivalët të lëkunden nga tarifat e paparashikueshme, ndërsa Pekini shtroi tapetin e kuq për një paradë udhëheqësish politikë nga Perëndimi, përfshirë Mbretërinë e Bashkuar, Kanadanë dhe Gjermaninë.
Sigurisht, kjo është larg të qenit tabloja e plotë. Ekziston gjithashtu mbikëqyrja e kudondodhur, kontrolli i rreptë shtetëror mbi mediat dhe asnjë lloj mospajtimi apo kritike ndaj qeverisë nuk tolerohet.
Por në Chongqing, shumë vizitorë shohin atë që mund të duket si një skenë kinematografike nga e ardhmja. Transformimi i qytetit mund të lexohet si një histori suksesi ose si një shenjë paralajmëruese. Sido që të jetë, ai i ofron botës – dhe Donald Trumpit – një pamje paraprake të asaj që Kina shpreson se e pret përpara.