Rajoni

BE-ja: Mbështetje për zgjerimin, por shqetësim për situatën në Kosovë!

Procesi i integrimit europian të vendeve të Ballkanit Perëndimor, situata e sigurisë në Kosovë e normalizimi i marrëdhënieve Kosovë-Serbi janë mes temave të një takimi 2-ditor të liderëve të BE-së në Bruksel. Bisedimet që nisin nesër  përkojnë me 20-vjetorin e Samitit të Selanikut, ku u dha premtimi për perspektivën europiane të Ballkanit Perëndimor. Ndërkaq pritet të përsëritet përkushtimi për integrimin në BE, si dhe të shprehet shqetësimi për tensionet e rritura në veri të Kosovës.

Burimet diplomatike presin që udhëheqësit europianë t’u bëjnë thirrje Prishtinës e Beogradit t’i ulin menjëherë tensionet e t’i kthehen dialogut për normalizimin e marrëdhënieve. Nëse nuk dëshmojnë vullnet për sjellje të matur e konstruktive, pritet t’iu tërhiqet vërejtje për pasojat.

Sipas një draft-dokumenti që pritet të miratohet në takimin e liderëve të BE-së, Këshilli Europian pritet të kërkojë masa të shpejta për uljen e tensioneve dhe për zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit, e cila ka për qëllim normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi. Për zbatimin e saj, dy vendet ranë dakord në muajin mars.

Këshilli Europian i dënon incidentet e fundit në veri të Kosovës dhe bën thirrje për shtensionimin e menjëhershëm të situatës, në bazë të elementëve kyç të treguar nga Bashkimi Europian, më 3 qershor 2023.

Aty kujtohet thirrja e BE-së për zgjedhje të parakohshme në të katër komunat në veri të Kosovës: Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Zubin Potok e Leposaviç.

Dështimi në uljen e tensioneve do të ketë pasoja negative!

Në takimin e BE-së më 29 dhe 30 qershor, pritet të përsëritet përkushtimi i liderëve të vendeve anëtare për vazhdimin e procesit të zgjerimit, që nënkupton dhe anëtarësimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE.

Këshilli Europian përsërit mbështetjen e plotë dhe pa rezerva për perspektivën e anëtarësimit në BE të Ballkanit Perëndimor e mbështetjen për përshpejtimin e procesit të anëtarësimit.

Nga gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor, Mali i Zi dhe Serbia kanë avancuar më shumë në rrugën drejt BE-së. Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut i nisën vitin e kaluar negociatat për anëtarësim në BE, ndërsa Bosnja ka marrë statusin e vendit kandidat, po vitin e kaluar.

Kosova është e fundit në rrugën drejt BE-së. Dhjetorin e kaluar, aplikoi për anëtarësim në bllok. Deri tani, Prishtina ka nënshkruar vetëm një marrëveshje me BE-në, të Stabilizim Asociimit në tetor të vitit 2015.