BE-ja nuk e përjashton mundësinë që Kosova të përballet edhe me masa të tjera, nëse qeveria Kurti nuk i përmbush kërkesat ndërkombëtare. Zëdhënësi Peter Stano:
Ka një sërë masash apo propozime për një sërë masash. Disa prej tyre tashmë kanë hyrë në fuqi menjëherë. Disa të tjera ende po diskutohen dhe vendet anëtare do t’i zbatojnë gradualisht, nëse nuk do të ketë ndryshim qëndrimi nga autoritetet e Kosovës. Spektri është relativisht i gjerë.
Sipas tij, këto nuk janë sanksione apo masa kufizuese në aspektin klasik.
Janë masa të përkohshme dhe përgjigje ndaj dështimit të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, për të ndërmarrë hapa konkretë e të menjëhershëm për uljen e tensioneve në veri.
Tensionet në veri të Kosovës janë të larta prej 26 majit, kur kryetarët e rinj shqiptarë të komunave hynë forcërisht në ndërtesat komunale. Serbët e kundërshtojnë diçka të tillë dhe protestojnë prej 29 majit.
I pyetur pse BE-ja nuk po merr masa ndaj Serbisë, e cila “nuk e zbaton marrëveshjen me Kosovën, nxit probleme në Bosnjë e nuk i mbështet sanksionet ndaj Rusisë”, Stano u shpreh se këto çështje nuk duhet të përzihen mes tyre.
Në Kosovë ekziston një situatë specifike, tensione të krijuara si pasojë e zgjedhjeve ku kishte pjesëmarrje të ulët të qytetarëve. Serbia ka bërë hapa drejt uljes së tensioneve, duke bërë tërheqje të pjesshme të ushtrisë nga zona në afërsi me territorin e Kosovës.
Stano e ka përsëritur disa herë se pavarësisht përpjekjeve dhe bisedave mes zyrtarëve të lartë të BE-së e kryeministrit Kurti, ky i fundit “nuk i ka ndërmarrë hapat e duhur për uljen e tensioneve”.
Letra që i ka dërguar Përfaqësuesit të Lartë, Borrell, ku ka bërë pesë propozime, nuk e adreson problemin kryesor dhe dështon të bëjë hapa për uljen e tensioneve.
Burimet diplomatike të BE-së thonë se shtetet anëtare nuk e kanë detyrim të zbatojnë masat ndaj Kosovës, por disa prej tyre kanë nisur të aplikojnë disa masa kufizuese.