Eurokomisionerja për Zgjerimin, Marta Kos, e përmendi shkurtimisht Kosovën duke folur sot para deputetëve në Komisionin për Politikën e Jashtme të Parlamentit Europian në Bruksel. Zyrtarja theksoi se “zgjerimi i BE-së sot është ndryshe nga mënyra se si ishte para katër a pesë vjetësh”.
Tani kemi një moment të ri pozitiv në BE. Për herë të parë në dhjetë vitet e fundit, kemi mundësinë që gjatë mandatit tonë të anëtarësojmë në BE një, dy apo tri vende të reja. Por, u kam thënë partnerëve në javët e fundit se nuk do të ketë lëshime kur bëhet fjalë për kriteret themelore dhe vlerat e BE-së.
Për Kosovën, foli në fund kur u pyet nga një deputet i Parlamentit Europian se çfarë pret nga zgjedhjet në Kosovë.
Kosova… Nuk e përmenda Kosovën. Atje do të ketë zgjedhje. Nuk pres se të lëvizim para zgjedhjeve, por së shpejti, pas zgjedhjeve, duhet të lëvizim. Sepse nuk mund të flasim për rajonin e Ballkanit Perëndimor nëse nuk flasim për dialogun ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës ose në veçanti se çfarë është duke bërë Kosova apo çfarë është duke bërë Serbia.
Eurokomisionerja shtoi se këtë vit pret zhvillime pozitive në procesin e zgjerimit dhe progres më të madh nga sa pati në 10 vitet e fundit.
Mund të kemi përparim gjatë Presidencës polake më shumë nga sa kishim në dhjetë vitet e fundit. Mund të kemi deri në dhjetë konferenca ndërqeveritare.
Kos paralajmëroi se së shpejti do të vizitojë Malin e Zi dhe Shqipërinë, vende të cilat i sheh si më të avancuarat në procesin e zgjerimit.
Mali i Zi ka vizion t’i përmbyllë negociatat deri më 2026-ën dhe Shqipëria deri në vitin 2027. Ne do t’i mbështesim, por duhet një punë shumë e madhe. Parimi i procesit të bazuar në merita duhet të jetë i vlefshëm edhe për vendet kandidate, por edhe për vendet anëtare të BE-së. Pra, kur kandidatët t’i përmbushin kriteret, atëherë vendet e BE-së duhet të mundësojnë ecjen përpara.
Pas zgjedhjeve që mbahen më 9 shkurt në Kosovë, pritet që shefja e re për politikën e jashtme të BE-së, Kaja Kallas, të realizojë turin e parë në rajonin e Ballkanit Perëndimor.