Komisioneri Evropian Glenn Micallef përshëndeti vendimin për të anuluar zhvillimin e ndeshjes Villareal-Barcelona në Miami, ndërsa foli edhe për sfidën Milan-Como, e programuar të mbahet në Perth të Australisë.
“E mirëpres vendimin e La Liga për të anuluar ndeshjen e Miamit-shkruante Micallef në rrjetet sociale-është një fitore për tifozët, futbollistët dhe traditat që e bëjnë të vecantë futbollin evropian. Përfaqëson qartë Modelin Sportiv Evropian dhe të vlerave që ai mishëron.
LEXO EDHE: Milan-Como do të luhet në Australi, “shpërthen” mesfushori i kuqezinjve: Është absurde…
Duhet të vazhdojmë të punojmë së bashku, Liga, klube dhe UEFA për të mbrojtur integritetin, konkurrencën e drejtë dhe lidhjen mes klubeve dhe komuniteteve të tyre. Besoj se edhe Serie A do të reflektojë për një qasje të tilllë. Të mbajmë futbollin tonë në Evropë na forcon të gjithëve”- tha politikani maltez.
Pesëmbëdhjetë minuta heshtje në shenjë proteste u mbajtën në stadiumin ‘Sinigaglia’ gjatë ndeshjes kundër Juventusit.
Tifozët e Comos nuk e mbështetën ekipin e tyre për 15 minutat e para të ndeshjes në shenjë proteste kundër vendimit për të luajtur ndeshjen Milan – Como në Perth të Australisë.
Një deklaratë nga tifozët i ishte përgjigjur tashmë kërkesës së klubit të Comos për sakrificë për “të mirën e përbashkët” të futbollit italian në ditët e fundit.
“Me respekt, por me vendosmëri, e deklarojmë qartë: Nuk pranojmë mësime për sakrificën nga ata që nuk i kanë përjetuar kurrë tonat.”