Ka njerëz që zgjohen me tingullin më të vogël, ndërsa të tjerë mund të flenë edhe gjatë zhurmës së trafikut apo alarmit të telefonit.
Nëse jeni nga ata që e kanë të vështirë të zgjohen në mëngjes, mund të jeni një “gjumash i rëndë” (heavy sleeper).
Sipas ekspertëve të gjumit, kjo nuk do të thotë domosdoshmërisht se flini më shumë se të tjerët.
Në fakt, personat me gjumë të thellë shpesh kanë një prag më të lartë zgjimi, që do të thotë se truri ka nevojë për stimuj më të fortë për t’i zgjuar.
Pse disa njerëz flenë kaq thellë?
Shkencëtarët ende nuk e kanë një përgjigje përfundimtare, por studimet sugjerojnë se një rol të rëndësishëm luajnë të ashtuquajturat “sleep spindles”, valë të aktivitetit të trurit që shfaqen gjatë gjumit të thellë dhe e bëjnë organizmin më rezistent ndaj zhurmave.
Megjithatë, nuk është vetëm biologjia që ndikon. Faktorë të tjerë përfshijnë:
-predispozitën gjenetike;
-mungesën kronike të gjumit;
-konsumimin e alkoolit ose qetësuesve;
-mungesën e aktivitetit fizik;
-çrregullime të gjumit, si apnea obstruktive e gjumit.
A është problem të jesh gjumash i rëndë?
Jo domosdoshmërisht. Për shumë njerëz, gjumi i thellë nuk paraqet problem. Por kur dikush fle vazhdimisht përtej alarmit, humbet takime, vonohet në punë ose ndihet i përgjumur gjatë gjithë ditës, situata mund të ndikojë në cilësinë e jetës.
Ekspertët paralajmërojnë se zgjimi gjatë fazës së gjumit të thellë mund të shkaktojë të ashtuquajturën “sleep inertia” – një gjendje hutimi, lodhjeje dhe përgjumjeje që mund të zgjasë nga disa minuta deri në më shumë se një orë.
Në disa raste, gjumi tepër i rëndë mund të jetë edhe shenjë e problemeve shëndetësore, si apnea e gjumit, hipotiroidizmi apo depresioni, ndaj simptomat e vazhdueshme duhen diskutuar me mjekun.
A gërhasin më shumë ata që flenë thellë?
Jo gjithmonë. Edhe pse shumë njerëz e lidhin gërhitjen me gjumin e thellë, ekspertët thonë se nuk ekziston një lidhje e drejtpërdrejtë. Një person mund të jetë gjumash i rëndë pa gërhitur fare, ndërsa një tjetër mund të gërhasë pa pasur vështirësi për t’u zgjuar.
Si mund ta bëni më të lehtë zgjimin?
Ekspertët rekomandojnë disa zakone që ndihmojnë në përmirësimin e cilësisë së gjumit dhe e bëjnë më të lehtë zgjimin në mëngjes:
-shkoni në shtrat dhe zgjohuni në të njëjtën orë çdo ditë;
-krijoni një ambient të freskët, të errët dhe të qetë për gjumë;
-shmangni alkoolin, nikotinën dhe kafeinën në mbrëmje;
-bëni aktivitet fizik të rregullt dhe ekspozohuni në dritën natyrale gjatë ditës;
-përdorni alarme që ju zgjojnë gradualisht gjatë fazës së gjumit të lehtë;
-krijoni një rutinë relaksuese para gjumit.
Ekspertët theksojnë se nuk është domosdoshmërisht më mirë të jesh gjumash i lehtë apo i rëndë. Më e rëndësishmja është që gjumi të jetë cilësor dhe të mos ndikojë negativisht në jetën e përditshme.
Nëse përgjumja gjatë ditës, vështirësia për t’u zgjuar ose lodhja vazhdojnë për një kohë të gjatë, rekomandohet një vlerësim nga një specialist i gjumit.