Autoritetet në Kosovë bëjnë thirrje për kujdes në trafik. Instituti Hidrometeorologjik paralajmëroi rënie të temperaturave, që pritet të shkaktojnë ngrica në rrugët e Kosovës.
Policia iu bën apel qytetarëve që të kenë kujdes në trafik. Shoferët të përshtatin shpejtësinë me kushtet atmosferike dhe gjendjen në rrugë, të mbajnë distancën me automjete të tjera, për shkak të mundësisë së ngricave.
Siguria juaj është prioritet. Kujdesi i shtuar ndihmon në shmangien e aksidenteve dhe ruajtjen e jetës.
Rënia e temperaturave vjen pas përmbytjeve shkatërruese në disa pjesë të Kosovës.
Ndërkohë, kryeministri në detyrë Albin Kurti, kërkoi që qytetarët të shmangin udhëtimin me automjete në orët në vijim, për shkak të ngricave të mundshme nëpër rrugë.
Në një njoftim në Facebook, IHMK njoftoi se pritet të bjerë borë dhe era do të fryjë në drejtim të veriut e veriperëndimit, e shoqëruar nga një rënie e madhe e temperaturave në të gjithë Kosovën.
Temperaturat minimale do të shënojnë ulje të theksuar, duke zbritur nën vlerat zero gradë celsius, veçanërisht gjatë natës dhe orëve të hershme të mëngjesit. Kjo do të krijojë kushte të favorshme për formimin e ngricave në sipërfaqet rrugore, trotuare, ura dhe zona të ekspozuara ndaj lagështisë së lartë.
Ngricat, të kombinuara me shtresat e borës dhe erërat e ftohta, pritet të ndikojnë negativisht në sigurinë e qarkullimit rrugor.
Ndërkohë, Kurti tha:
Kontrasti i madh i temperaturave, me parashikime që ato të zbresin deri në –9°C, paraqet rrezik të shtuar, pasi rrugët e lagura nga shiu pritet të ngrijnë.
Këto paralajmërime vijnë një ditë pasi vendi u përball me vërshime të mëdha, që detyruan autoritetet të shtyjnë për më 12 janar rifillimin e mësimit pas pushimit dimëror e që duhej të riniste sot.
Reshjet e mëdha në ditët e fundit sollën përmbytje duke shkaktuar dëme në prona dhe infrastrukturë, evakuime, probleme me ujin e pijshëm, si edhe bllokim rrugësh para dy ditëve.