Eurodeputeti grek Fredi Beleri, ish-kryebashkiaku i Himarës i arrestuar dhe dënuar me 2 vite burgim për korrupsion zgjedhor për zgjedhjet lokale të 14 majit 2023, ka qenë i pranishëm në përurimin e Konsullatës së Greqisë në Korçë ditën e sotme.
Ai u pyet nga mediat edhe në lidhje me komentet që kishte për zgjedhjet parlamenare dhe se çfarë qëndrimi do mbante në Parlamentin Evropian si përfaqësues i palës greke. Beleri nuk ngurroi të jepte komentin politik, duke mbështetur tezën e aleatit të tij Sali Berisha të PD-së, se zgjedhjet e 11 majit ishin të manipuluara.
I pyetur se cili do të jetë qëndrimi i tij në Parlamentin Europian për kontestimin e zgjedhjeve që ka bërë opozita, Beleri tha:
“Sot nuk kemi zgjedhje, është një ditë feste, inaugurohet një ngjarje historike për qytetin e Korçës. Është një godinë që nga sot do ta ketë Konsullata Greke, e cila do të jetë një institucion që do të përparojë marrëdhënien e dy shteteve. Sa për zgjedhjet, unë besoj se raporti i OSBE-ODIHR dhe vëzhguesve europianë është fare i qartë ky do të jetë edhe qëndrimi ynë. Që do të thotë se zgjedhjet ishin të manipuluara, të vjedhura, dhe nuk kanë të bëjnë fare me një shtet që aspiron Bashkimin Europian”.
Ndërsa pyetjes nëse ky është edhe qëndrimi i BE-së, ai iu përgjigj se:
“Ky është qëndrimi i vëzhguesve parlamentarë që ishin në Shqipëri. Është pikërisht ky kishte ndikime të qeverisë, të administratës dhe kishte trysni ndaj votuesve”.
Çështja e Detit?
“Është një çështje që dy ministrat dhe qeveritë ta zgjidhin me mirëkuptim. Çështja e detit nga marrëveshja e vitit 2009 është një marrëveshje në interes të të dyja shteteve dhe duhet t’i përmbahen asaj marrëveshjeje”, përfundoi ai.