Politikë

Bardhi “përplaset” me Peleshin për rregulloren! Korreshi: E keni bërë si letër higjienike, por ta kishit bërë më të hollë!

Kuvendi duhet të pranojë pyetjet e deputetëve të opozitës, i kërkoi Gazment Bardhi Niko Peleshit duke e akuzuar kryetarin se nuk po zbaton rregulloren. Më pas, i tha se s’mund t’ia dërgojnë pyetjet në adresën ku banon pasi s’ia dinë shtëpinë me qira. Për këtë, Peleshi tha se s’ndien turp, por Bardhi shtoi se e ka te kompleksi i “White Rock” në Dhërmi, ku ndodhet vila e fshehtë e Ballukut.

Gazment Bardhi: Kemi që në mëngjes që në përputhje me rregulloren, deputetët e grupit parlamentar tentojnë të depozitojnë pyetje dhe thonë duhet të kishin ardhur 24 orë përpara. Kur afati bie të dielën shtyhet në ditën e parë të punës që është e hëna dhe kemi tentuar të depozitojmë pyetjet. Shtëpinë s’ta dimë se ti jeton me qira, kështu ke deklaruar.

Niko Peleshi: S’e kam për turp.

Gazment Bardhi: S’ke si ta kesh për turp se e ke te White Rock me Belindën. Në përputhje me rregulloren, kur afati bie me ditë pushimi, bie të nesërmen. Keni detyrimin të pranoni pyetjet me shkrim dhe t’ua shpërndani anëtarëve. Zbatoni rregulloren e Kuvendit. Dreqi ta hajë, lexoje njëherë nga neni i parë te i fundit se ngele duke na futur në probleme çdo seancë.

Plot ironi ka qenë fjalimi i deputetit të PD-së, Saimir Korreshi, i cili është përplasur me kryetarin e Kuvendit, Niko Peleshi. Korreshi tha se nuk ishin opozitarët punonjës të Peleshit, ndërsa shtoi se qeveria gënjen për faktin se fondet e IPARD-it janë hapur.

Korreshi: E mira është që të marrësh dhe pak vesh këtej nga salla, se për ty po flasim. O shoku kryetar, alo…alooo. Shoku kryetar…

Peleshi: Shokun kryetar shko takoje aty ku ke shokët. Këtu nuk është seanca e Koncertit Folklorik.

Korreshi: Kur flasim drejtohemi me ju-ty, juve-ju për këtë rregullore se e votuam me pompozitet. Nëse e keni bërë për letër higjienike, ta bëni më të hollë se na gërric. Na bëni në mëngjes, orë pilafi, sot ditë ligjesh, kur ka seancë. I dini ku këto gjëra që ndodhin në Kuvend? Vini këtu dhe na mallëngjeni! S’jemi punonjësit tuaj, nëse jua kanë thënë, ju kanë gënjyer. Opingat do të hapen fondet e IPARDIT. Ndaj këto përrallat mos na i tregoni neve. E di si shmanget retorika, kur Marta Kos mos të bëhet dhallë, të flasë tamam. Ndaj mos të na tregoni përralla me mbret. Ky nuk është parlament dhe ne nuk jemi punëtorët tuaj. Ato ligjet që kemi ne, rrëzojeni, por duhet të jenë këtu në Kuvend.