Aktualitet Politikë

Berisha: Balluku vodhi 50 mln me tunelin e Llogarasë! Pretendon të vjedhë 60 mln të tjera me aeroportin e Vlorës!

Kreu i PD, Sali Berisha ka deklaruar se kryeministri Edi Rama dhe zv. Kryeministrja Belinda Balluku po tentojnë të vjedhin 60 milionë me aeroportin e Vlorës.

Sipas tij e njejta gjë është bërë edhe me tunelin e Llogarasë ku u vodhen 50 mln.

Në një deklaratë nga selia blu, Berisha vijoi se ishin politikat e qeverisë ato që ndikuan në shpopullimin e vendit.

Shqiptarët sipas tij nuk kanë pse të pranojnë të jenë më të keqpaguarit në Europë.

Deklarata e Berishës:

Rroga minimale në Shqipëri është 34 përqind më e ulët se në vendet e Ballkanit.
Maqedonia e Veriut e ka 584 euro, Serbia e ka 618 euro, Mali i Zi e ka 670 euro.
Pra çdo punonjës në Malin e Zi merr 262 euro më shumë se në Shqipëri si rrogë minimale.
Çfarë ka Mali i Zi? As një të dhjetën e pasurive që ka Shqipëria. Asnjë prej këtyre vendeve nuk e kanë.
Por kanë një gjë, që nuk vidhen. Qeveritë e tyre janë si janë, me shumë problematika, por nuk vjedhin popullin e tyre siç vjedh Edi Rama me Lubinë.
Urdhëroni. Vodhën 50 milionë tunelin e Llogarasë, tani duan të vjedhin 60 milionë në aeroportin e Vlorës.
Nuk kanë të ndalur në asgjë.
Shqiptarët nuk kanë pse të pranojnë të jenë më të keqpaguarit në Europë.
Shqiptarët nuk kanë kurrë pse të pranojnë këtë qëndrim prej shpirtkazme të qeveritarëve që përcaktojnë për vete rrogat më të larta në Europë në raport me rrogat e ulëta”, tha ai.

Berisha komentoi kritikat e kryeministri Edi Rama për kryebashkiakët gjatë prezantimit të reformës së ujit:

“Çdo ditë fatmirësisht që vijnë me miliona turistë, çdo ditë e më keq paraqitet si vendi i mungesës së madhe të ujit, ndonëse vendi më me ujëra në Evropë, pasi shpenzoi 400 milionë dhe quajti reformë e të gjitha reformave atë të plehut, u katandis si gjel mbi pleh duke paraqitur një alternativë pa djegës dhe incneratorë, flakët e djegësit të Tiranës do ta djegin gjithë jetën.

Pasi shkriu këshillin dhe emëroi veten kreun e këshillit kombëtar të ujit tani mesa duket do ta marrë përsipër që paratë e ujësjellësve t’i vjedhë vetë dhe jo kryetarët. Kush i mbushi me militantë dhe të paaftë, opozita? Shteti po copëtohet në mënyrë të pashmangshme, po reduktohet në një person që beson se ka të gjitha aftësitë, s’është gjë tjetër veç një hajdut që s’ka asnjë haber. T’i heqësh atributet bashkive, do të thotë që je njeriu më i pangopur”, tha Berisha.