Sali Berisha vazhdon denoncimin e atij që e quan “krim monstruoz elektoral” më 14 Maj në Shqipëri, që sipas tij faktohet nga dokumentet. Pas humbjes në zgjedhjet vendore ku kandidatët e Koalicionit “Bashkë Fitojmë” fituan vetëm në 7 nga 61 bashki të vendit, Berisha tha sot se është ngritur një komision i posaçëm për këtë çështje.
Dokumentet, dëshmitë, fotografitë, filmimet, faktojnë në mënyrë të pakundërshtueshme ndërhyrjet brutale, antikushtetuese dhe antiligjore të Edi Ramës në kontrollin e votës së zgjedhësve shqiptarë.
Dokumentet faktojnë se në Shkodër u bashkuan bandat me armiqësinë më të egër ndaj njëra-tjetrës, të urdhëruara nga kryekumbari Edi Rama. Bandat e Edi Ramës bënë gjithçka për të ndryshuar rezultatin e zgjedhjeve në shumë e shumë zona të vendit. Por, bandat ishin një shkrirje me bandat e qeverisë.
Inxhinierë, drejtorë, punonjës, kanë ushtruar terror ndaj qytetarëve me kërcënimin: votën ose jetën!
Delinkuentë të dënuar rëndë në vendet përreth, si përdhunues kanë shoqëruar deputetë të PS-së dhe janë vendosur numërues, në Devoll për shembull.
Në burgun e grave në Tiranë është votuar 100% për Erion Veliajn. Vetëm një person dhe ai ishte vëzhguesi, arriti që të votojë ndryshe.
Në qendrat e tjera, qytetarët janë detyruar të mos futen fare në dhomën e fshehtë sepse kanë marrë fletën e mbushur nga komisioneri.
Këto janë vetëm disa nga rastet e panumërta që dëshmojnë dhunimin flagrant të të drejtës së qytetarëve shqiptarë në këtë proces farsë elektorale.
Një komision i ngritur po punon me intensitet dhe unë dua të falënderoj të gjithë ata drejtues, anëtarë, simpatizantë, vëzhgues, komisionerë, kandidatë, që po kontribuojnë në denoncimin e krimit monstruoz elektoral, të farsës 14 Maj 2023.
Sikundër shtoj se shqyrtimi i thelluar i këtij megakrimi kërkon kohën e duhur dhe qytetarët do ta marrin vesh në çdo hollësi e në çdo detaj, pasi është një material shumë, shumë voluminoz që duhet të trajtohet me seriozitetin dhe vërtetësinë më të madhe.