Kryetari demokrat, Sali Berisha tha sot se “krimi i organizuar nuk lejon rotacionin në Shqipëri” dhe sipas tij, “protesta është rruga e vetme”. Në një bashkëbisedim me qytetarë në rrjetet sociale, Berisha deklaroi:
Në kushtet e një pluralizmi të shtypur, që nuk lejon rotacionin, që burgos krerët e opozitës, që përdor burimet e gjithanshme të shtetit në emër të partisë shtet që të marrë zgjedhjet, që përdor bandat për të kontrolluar votat, përdor administratën për të kontrolluar votat, jemi në një realitet, për ta përmbledhur në një fjalë që deklaroi një nga europarlamentarët më të njohur në Bruksel, Michael Gahler: “Në Shqipëri, krimi i organizuar nuk lejon rotacionin e pushtetit”.
Sipas Berishës, në këtë mënyrë ka vetëm një përgjigje, që “është vetëm protesta”.
Ka vetëm një përgjigje: të ngrihemi në protesta, protesta dhe vetëm protesta. Përndryshe, farsa e ardhshme elektorale nuk do të jetë me 52%, Edi Rama, por me 62-68 %.
Nëse bindemi për realitetin që është, atëherë nuk kemi një rrugë të dytë, nuk kemi rrugë tjetër, përveç të ngrihemi me guxim, të gjithë ata që duan një votë të lirë dhe të përballemi me këtë qeveri, gjersa të rikthejmë votën e lirë ndaj shqiptarëve.
Gjithashtu, kryetari i opozitës shpjegoi skenarin e protestës së 17 nëntorit duke thënë se PD-ja do të “hapë” një Parlament para godinës qeveritare, siç bëri të ditur “për shkak se gjatë seancave në Kuvend opozita nuk është lejuar të debatojë”. Berisha theksoi se kjo protestë do të organizohet një herë në javë, ku deputetë e qytetarë do të thonë fjalën e tyre.
Protesta e ditës së hënë, aty do të hapim një foltore, një Parlament. Në 10 seanca, opozita është lejuar që të debatojë vetëm në një.
Para këtij bllokimi të plotë, hapim foltoren parlamentaro-qytetare para Kryeministrisë një herë në javë, ku deputetë dhe qytetarë do të thonë zërin e tyre. Protesta të tjera po projektohen, por do të thirren në kohën e përshtatshme, vuri në dukje Sali Berisha.
Kreu i PD-së deklaroi se edhe sot ka ambasadorë e zyrtarë të lartë në Bruksel të zemëruar me të, për shkak se “denoncon hapur fenomenin e narkoshtetit në Shqipëri”.
Droga ka qenë më e dëmshme se çdo ideologji apo pushtues për vendin, duke nisur nga mbjellja masive e kanabisit në vitin 2015 që u përhap nga Pogoni deri në thellësitë e Alpeve.