Aktualitet Politikë

Berisha mesazh para protestës: Sot dita e ngadhënjimit mbi të keqen!

Protesta e paralajmëruar e opozitës para Kryeministrisë, Sali Berisha, mesazh për qytetarët në X:

Sot është dita e guximit qytetar. Dita kur populli opozitar i bën gjyqin kryehajdutit, kryeministrit të lidhur me banditë, trafikantë dhe vrasës. Është dita e ngadhënjimit mbi të keqen që ka mbërthyer Shqipërinë, shkruan kryetari demokrat.

Protesta e thirrur sot në orën 17:00 nga opozita ka vënë në gatishmëri Policinë e Shtetit, që ka marrë masat për çdo skenar të mundshëm. Rreth 1300 forca të policisë, të rendit, FNSH-së e Shqiponjat janë angazhuar. Në gatishmëri edhe forcat RENEA.

Gjithashtu, Garda e Republikës do të jetë e gjitha në gatishmëri për ruajtjen e institucioneve. Mësohet se të gjithë efektivët do të jenë të pajisur me maska kundragaz. Do të ketë 5 autobotë me ujë pas Kryeministrisë, nëse do të ketë nevojë në raste incidentesh.

Si në çdo protestë do të krijohet kordoni me efektivë para Kryeministrisë e perimetrit përreth. Në terren do të përfshihen edhe agjentët civilë. Dyert e selisë së qeverisë janë blinduar me veshje metalike. Përgjatë Bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, policia ka instaluar kamera me rezolucion të lartë.

Rrugët rreth Kryeministrisë bllokohen prej orës 15:00.  Efektivëve u është kërkuar të kenë kujdes e të mos provokohen nga protestuesit, si dhe të ruajnë qetësinë.