Siç ka njoftuar, sot pasdite, opozita zhvillon një protestë kombëtare në Tiranë, ndërsa organizatorët shprehen se qytetarët pritet të mblidhen për arsye madhore që lidhen me keqqeverisjen. Protesta e thirrur nga Partia Demokratike nis në orën 17:00. Prej ditësh, kryetari demokrat Sali Berisha iu ka bërë thirrje qytetarëve nga e gjithë Shqipëria, t’i bashkohen protestës. Ndërkaq, sfidoi kryeministrin Edi Rama që gjatë tubimit, të qëndrojë në zyrën e tij në Kryeministri.
Në kuadër të mbarëvajtjes së protestës dhe për të garantuar rendin dhe sigurinë publike, Policia e Shtetit ka njoftuar masa të posaçme për qarkullimin e automjeteve, duke nisur nga ora 15:00.
Sot, më 24 janar, nga ora 15:00 ka bllokim total të lëvizjes së automjeteve në segmentin kryesor të bulevardit, “Dëshmorët e Kombit”, nga Ministria e Brendshme e deri te Sheshi “Nënë Tereza”.
Po ashtu, bllokohen edhe disa rrugë dytësore, përfshirë: “Ukraina e Lirë”, “Papa Gjon Pali II”, “Ismail Qemali”.
Policia paralajmëron se në varësi të situatës e numrit të pjesëmarrësve, mund të ketë bllokime të përkohshme edhe në akse të tjera rrugore.
Autoritetet u bëjnë thirrje qytetarëve që të shmangin zonat e bllokuara, të ndjekin udhëzimet e Policisë, si dhe të distancohen nga çdo akt dhune, duke kontribuar në një protestë të qetë e pa incidente.