Aktualitet

Berisha në SPAK: Ky është institucioni i bashkëpunimit me krimin!

Kryetari demokrat, Sali Berisha sot ishte në SPAK, nga ku u shpreh se “ky është institucioni i bashkëpunimit me krimin”.

Nuk i njoh dosjet konkrete, por natyrisht si institucioni i bashkëpunimit me krimin, ka me qindra mijëra qytetarë, të cilët këtu kanë zemërimin e madh, kanë problemet e mëdha.

Dora e mafies, dora e qeverisë është kudo.

Struktura e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar e thirri të paraqitej sot ora 10:00, për të dhënë shpjegime në lidhje me një kallëzim të bërë nga gjyqtarja Irena Gjoka. Lajmi u konfirmua dje nga avokati i tij, Genc Gjokutaj, i cili publikoi edhe shkresën e SPAK-ut.

Sipas avokatit Genc Gjokutaj, arsyeja e thirrjes është një kallëzim i depozituar nga gjyqtarja Irena Gjoka. Përmes një postimi në rrjetet sociale, Gjokutaj e cilësoi këtë veprim si “pjesë e një praktike të njohur në drejtësinë shqiptare”.

Në deklarata publike, kryetari demokrat e ka akuzuar gjyqtaren se ka 3 mbiemra dhe se është  e përfolur për ryshfete gjysmë milionëshe, jo në një por në disa raste. Sipas tij, “rezulton se në vitin 2005, Gjoka është dënuar nga Kolegji Penal i Janinës, me burg dhe gjobë”.

Urdhri përcaktonte që Berisha të paraqitej personalisht në ambientet e SPAK-ut, pranë hetuesit të BKH-së, Ardrit Neli, duke sjellë me vete një dokument identifikimi. Urdhri u bazua në nenin 312 të Kodit të Procedurës Penale, që rregullon paraqitjen e detyruar të një personi për hetime. SPAK-u theksoi se në rast të mosparaqitjes pa një arsye të ligjshme, urdhërohet shoqërimi i detyruar i personit të thirrur.