Aktualitet Politikë Zgjedhjet 2025

Berisha nga Pogradeci: Çmimi i naftës do të ulet me 40%!

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha prezantoi skandidatët për deputetë të koalicionit “PD-Aleanca për Shqipërinë Madhështore” në Pogradec.

Gjatë fjalës së tij, Berisha bëri edhe prezantimin e programit të PD-së. Ai tha se në 100 ditët e para “në Shqipëri nuk do mund të shitet kurrë, litri i naftës më shumë se +-10% e çmimit të saj në Maqedoni apo në Kosovë, pra një naftë 40% më lirë”.

Berisha shtoi më tej se do të vendosin minimumin jetik 200 euro, për çdo pensionist me pension të plotë apo të pjesshëm që merr, nën 200 euro.

Vendosim minimumin jetik për të gjithë shqiptarët në ndihmë ekonomike, për të gjithë ata që nuk kanë marrë kurrë në jetën e tyre pension, për të gjithë shqiptarët e papunë, për të gjithë studentët me bursë, për të gjithë fëmijët e familjeve me një prind, vuri në dukje Sali Berisha.

Kryetari i PD-së theksoi se do të vendosë rrogë minimale 500 euro.

Po ashtu sipas Berishës do të vendoset karta e konsumatorit, me të cilën, çdo rrogëultë, çdo pensionist, çdo qytetar me minimumin jetik, do të marrë ushqimet dhe gjërat bazë, me çmim 20% më lirë se qytetarët e tjerë.

Vendosim listën e rimbursimit 100% të barnave, identike, një për një me listën që ka sot Republika Italiane, shtoi Berisha.

Kreu demokrat siguroi se do të “dyfishohet buxheti për Bujqësinë, do të dyfishohet buxheti për Shëndetësinë e do të dyfishohet buxheti për Arsimin”.

Vendosim mbrojtjen e plotë të prodhimeve bujqësore në sezon. I garantoj fermerët e Pogradecit se prodhimet e tyre do të mbrohen plotësisht dhe se ata do të subvencionohen e do të marrin për çdo fidan të mbjellë, për çdo kokë bagëti të mbarshtruar, për çdo njësi prodhimi, 5-fishin e asaj që marrin sot si subvencion. Do kenë linja krediti të butë e do të kenë mbulim të plotë të dëmeve nga fatkeqësitë natyrore, qoftë dhe nga mbiprodhimi, tha Berisha.