Aktualitet Politikë

Berisha premton heqje të tatimit për 50 mijë lekët e parë të rrogës: Taksa për shitjen e shtëpive bie nga 15% në 2%!

Heqje të tatimit për 50 mijë lekët e parë të rrogës, ka premtuar Sali Berisha nëse fiton zgjedhjet e 11 majit. Këtë deklaratë ai e bëri gjatë një konference me gazetarët këtë të hënë, teksa shtoi më tej se taksa për shitjen e shtëpive do të bjerë nga 15% në 2%.

 “Do të zbatohet tatimi 10% mbi të ardhurat nga puna, duke përjashtuar 50 mijë lekët e para.  Tatimi 10% mbi të ardhura të tjera jo nga paga. Zero taksim mbi profesionet e lira dhe biznesin e vogël. Tavani mbi tatim fitimin për biznesin e vogël 500 euro në ditë dhe kufiri i përjashtimit nga TVSH në masën 18 milionë lekë xhiro vjetore.

Ulje nga 15% në 2% të taksës së shitjes së pronës dhe krijimi i kadastrës fiskale për përcaktimin e çmimeve të referencës. Bie taksa Rama e karburantit dhe nafta nuk do shitet me një çmim që ndryshon nga +-10% nga ai i Kosovës.  Do reduktohet katër herë inspektimi nga inspektorë të ndryshëm në biznese.

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, thotë se strategu i fushatës së Donald Trump ku u rikthye në pushtet, Chris LaCivita do të stacionojë së shpejti ekipin e tij në Tiranë.

Në një konferencën për shtyp Berisha thotë se ka komunikim të vazhdueshëm me të.

A ka nisur pune Chris LaCivita apo do të jetë vetëm në 30 ditët e fushatës?

 “Chris LaCivita është në aktivitet të plotë dhe jam në komunikim të vazhdueshëm me kryestrategun e fitores së Donald Trump. Shpejt përfaqësuesi i firmës do stacionohet këtu me ekipin tonë.

Ai do vijë, do shkojë, është në aktivitet të plotë. Ai nuk është oficer fushe, është marshall“-u shpreh Berisha.