Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, akuzoi kreun e SPAK-ut, Altin Dumani, për manipulim të një çështjeje penale, duke pretenduar se Irena Gjoka është shpallur e pafajshme në mënyrë të padrejtë. Ai ishte në SPAK, në zbatim të detyrimit për paraqitje lidhur me çështjen “Partizani”.
Sipas Berishës, gjykatësja ka falsifikuar dokumente dhe kombësinë, duke u paraqitur si minoritare në Greqi, ku sipas tij është dënuar edhe nga gjykata. Ndërkaq, pretendon se çështja ndaj saj është hapur pa emër, për të shmangur pasojat ligjore dhe më pas është mbyllur me emër.
Berisha akuzoi edhe se vendimmarrja është ndikuar politikisht.
Sot thashë se Dumani merr edhe mbiemrin Maneku, se në një akt më të turpshëm, në një akt flagrant të mbrojtjes së krimit, Edi Rama dhe Altin Dumani nxorën të pafajshme Irenën me 5 mbiemra.
Çdo qytetari i kërkoj vëmendjen e tij sepse ky është një rast unik në historinë e drejtësisë. Se si një kriminele, se si një delinkuente, hap dosje me urdhër të Ramës te Altin Troplini me qëllimin e vetëm, për t’u nxjerrë e pafajshme.
Irena Maneka Gjoka Dumani sipas dokumenteve që kam paraqitur këtu, është përzënë, zbuar dy herë nga Greqia sepse ka falsifikuar dokumente dhe jo vetëm dokumente, por ka falsifikuar edhe kombësinë e saj.
Ka shkuar me dokumente e vizë të falsifikuar, çka dënohet si akt, por ka shkuar edhe me kombësi të falsifikuar pasi është paraqitur si minoritare, në një kohë që është myzeqare.
Përveç kësaj, Irena Maneku Gjoka Dumani ka mashtruar, sepse ka autorizuar avokatin që të ndjekë çështje gjyqësore. Gjykata Administrative e Janinës e dënoi me një vit burg për falsifikimin.
Tani shikoni se çfarë horrash pa moral, pa nder, pa dinjitet, pa ligj janë këta.
KLP-ja e merr në shqyrtim dosjen dhe pasi Prokurori i Përgjithshëm deklaron se është e dënuar në Greqi, Irena Gjoka Maneku, KLP-ja e Irenës apo Irenat e KLP-së nuk e marrin në shqyrtim vendimin e prokurorisë, por deklarojnë se këtë duhet ta shqyrtojë ILD-ja, sikur kjo nuk ishte gjykatëse.
Prisni, shkojmë më tutje.
Altin Troplini, me urdhër të Edi Ramës sepse kjo që ta dini është fort shoqe që drekon dhe darkon me Lindën e Surrelit. Në fakt ka një restorant atje që muret e tij flasin shumë. Pra, darkon dhe drekon me Lindën e Surrelit.
Pra, me porosi të Edi Ramës, Altin Troplini i hap çështje pa emër kësaj, sepse po t’i hapte çështje penale me emër siç ishte njeriu i përzënë nga Greqia, njeriu i dënuar në Greqi, atëherë ajo duhet të largohej nga detyra automatikisht me hapjen e çështjes penale.
Por, çështja penale u hap pa emër për t’u mbyllur me emër. Një mbyllje të tillë të turpshme mund të bëjë vetëm Altin Troplini dhe askush tjetër.
Mbyllja e turpshme ishte se Irena me 5 mbiemra nuk e ka ditur, pavarësisht se ka autorizuar avokatin, por nuk e ka ditur se është dënuar nga gjykata. Dhe me këtë rast ajo del e pafajshme, paçka se në të gjitha rastet e tjera të padijes, i padituri është dënuar pa asnjë hezitim.
Kanë qenë gjykatës të lartë dhe kushtetues, janë dënuar dhe nuk u është pranuar deklarata e tyre se nuk e dinin.
Edhe këshilltarë të këshillave bashkiakë janë dënuar dhe nuk është pranuar se nuk e kanë ditur dënimin në një vend tjetër. Nuk ka një akt më të shëmtuar. Kjo është fytyra e tyre.