Presidenti amerikan, Joe Biden ka shpallur ndalimin e plotë të importeve ruse të naftës, gazit dhe qymyrit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Biden tha pak më parë se masa u mor si një goditje e fortë që populli amerikan do t’i japë Rusisë, për ta ndëshkuar atë për luftën në Ukrainë.
Pavarësisht frikës për rritjen e çmimeve të gazit, masa ka një mbështetje të gjerë politike dypartiake në SHBA.
Masa vjen pas kërkesave të presidentit ukrainas Volodmyr Zelenskyy drejtuar zyrtarëve amerikanë dhe perëndimorë për të ndërprerë importet e mallrave rusë.
Eksportet e energjisë kanë mbajtur një fluks të qëndrueshëm të parave në Rusi, pavarësisht kufizimeve të rënda në sektorin e saj financiar.
Biden kishte vendosur të njoftonte masën sa më shpejt të martën, njofton Huffington Post.
SHBA do të veprojë vetëm në këtë rast, por në konsultim të ngushtë me aleatët evropianë, të cilët nuk kanë marrë ende një vendim për ndërprerjen e furnizmeve me naftë dhe gaz nga Rusia.
Gazi natyror rus përbën një të tretën e konsumit të karburantit fosil në Evropë dhe ndaj vendimi për të ndërprerë furnizmin mbetet tepër i vështirë, pothuajse i pamundur.
Ndërkohë që SHBA nuk importon gaz natyror rus.
Pas SHBA, edhe Britania e Madhe shpalli embargon ndaj hidrokarbureve të prodhuara nga Moska. Kryeministri Boris Johnson tha se Mbretëria e Bashkuar është e angazhuar të çojë furnizimet e saj me gaz dhe naftë nga Rusia në zero deri në fund të vitit 2022.