4 ditë nga shpërthimet shkatërrimtare në Portin e Bejrutit, Ministria libaneze e Shëndetësisë saktëson se janë 154 viktima, 25 prej tyre ende të paidentifikuar. 60 persona rezultojnë të zhdukur e mes rreth 5 mijë të plagosurve, 120 janë në gjendje kritike për jetën. Për të ndihmuar autoritetet, Franca organizon nesër një video-konferencë ndërkombëtare donatorësh, ku konfirmoi pjesëmarrjen dhe presidenti amerikan, Donald Trump.
Sot në 16:00 me orën lokale, në Bejrut protestohet kundër korrupsionit të sistemit politik dhe mungesës së efikasitetit të qeverisë libaneze pas shpërthimeve të 4 gushtit. Manifestimi i thirrur nga grupet e aktivistëve do të zhvillohet në Sheshin e Martirëve. Një ditë më parë, organizatorët përshkuan me makina lagjet gjysmë të shkatërruara të Bejrutit e me megafonë bënë thirrje për pjesëmarrje masive të qytetarëve në protestën e sotme.