Negociatorët iranianë dhe amerikanë u takuan në Oman të shtunën për bisedime në nivel të lartë mbi programet bërthamore të Teheranit, mes tensioneve në rritje dhe kërcënimeve ushtarake nga Uashingtoni.
Takimet e së shtunës janë të parat nga zyrtarë të nivelit të lartë të të dyja vendeve për këtë çështje në vite e fundit, megjithëse nuk është e qartë saktësisht se si do të zhvillohen ato.
Teherani ka këmbëngulur në “bisedime indirekte”, të cilat ndoshta do të nënkuptonin që negociatorët të mos qëndrojnë në të njëjtën dhomë, por të përdorin ndërmjetës për të shkëmbyer mesazhe. Shtëpia e Bardhë, megjithatë, i ka përshkruar bisedimet si të drejtpërdrejta.
“Ajo që është e qartë në këtë fazë është se negociatat janë indirekte dhe, nga këndvështrimi ynë, kanë të bëjnë vetëm me çështjen bërthamore”, tha ministri i Jashtëm iranian Abbas Araqchi, pas mbërritjes në kryeqytetin e Omanit, Muskat.
Përfaqësuesi amerikan në këto bisedime është Steve Witkoff, një investitor në pasuri të paluajtshme i cili ka marrë rol të rëndësishëm në negociatat e jashtme të presidentit Donald Trump. Ai mbërriti në Oman pas një vizite në Rusi, ku u takua për herë të tretë ballë për ballë me presidentin rus, Vladimir Putin.
Pak ditë para takimit, presidenti Donald Trump paralajmëroi se, “nëse është e nevojshme”, Shtetet e Bashkuara “patjetër” do ta përdorin forcën ushtarake kundër Iranit – ndërsa Izraeli është i gatshëm të luajë rol udhëheqës në këtë.
Përgjigjja e Iranit ka qenë sfiduese, duke lënë të kuptohet se rreziku është i madh për të dy vendet dhe për rajonin më gjerë, në kohën kur delegacionet takohen në Oman.