Tech Top Tech - News

Blue Origin sjell versionin më të ri dhe më të madh të raketës New Glenn, ja çfarë pritet të ndodhë…

Në çdo episod të “Top Tech” me Mateo Kadriun zbulojmë të rejat më të fundit nga bota e madhe e teknologjisë. Me informacione dhe gjithçka të detajuar rreth risive dhe mundësive që po na ofrohen çdo ditë sidomos nga Inteligjenca Artificiale me avancimin e projekteve nga më të ndryshme.

Nëse mendove se raketa e re që sapo fluturoi me sukses ishte kulmi i ambicies, duket se historia sapo ka marrë kthesë tjetër. Blue Origin ka prezantuar një variant edhe më të madh të raketës së saj New Glenn, një version super-heavy që, për ta thënë thjesht, është më i gjatë se vetë Saturn V – rraketa ikonike që çoi njerëzit në Hënë. Në përmasa është thuajse në nivelin e Starship-it, kështu që gara për raketën më të madhe moderne sapo është ngushtuar.

Ky model i ri do të ketë në pjesën poshtë nëntë motorë dhe katër në pjesën lart. Rritja e fuqisë çon kapacitetin e mbajtjes së ngarkesës në mbi 70 ton në orbitën e ulët të Tokës, pak më poshtë se potenciali teorik i Starship-it.

Përveç shtimit të shtytjes, raketa e re do të ketë edhe një fairing shumë më të madh për të mbajtur ngarkesa më voluminoze. Ky kapacitet e vendos kompaninë në lojë për misione që kërkojnë transport masiv: mega-konstelacione satelitësh, misione drejt Hënës dhe hapësirës së thellë, si edhe operacione të sigurisë kombëtare.

Edhe varianti ekzistues ka marrë disa përditësime: shtytje më të lartë dhe fairing të ripërdorshme, bashkë me ndryshime për të shkurtuar kohën mes lançimeve.

Nuk ka ende një datë të saktë për fluturimin e radhës, por gjithçka tregon drejt fillimit të vitit 2026. Dhe mes gjithë kësaj, kompania mund të provojë së shpejti dërgimin dhe uljen e një landeri hënor pa ekuipazh. Hapësira pritet të bëhet shumë më e zhurmshme vitet në vijim.