Aktualitet

Blushi uron Metën: Malet tona më të larta janë simboli i pathyeshmërisë tënde

Sekretari i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi ka uruar ish-presidentin Ilir Meta në ditëlindjen e tij të 56-të , duke e quajtur atë një simbol të lirisë dhe demokracisë.
Tedi Blushi, Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, një ndër figurat më besnike të ish-Presidentit Ilir Meta ka uruar datëlindjen e këtij të fundit.

LEXO EDHE: Spiropali në Parlamentin holandez: Jeni mbështetës të fuqishëm të rrugëtimit europian të Shqipërisë! Synojmë mbylljen e negociatave teknike brenda 2027

Ajo që bie në sy në urimin e Blushit është qasja e tij në urimin ndaj Metës, ku e uron duke marrë për shembull një urim të dikurshëm që i bëhej udhëheqësve të Partisë së Punës duke thënë ‘Malet tona më të larta janë simboli i pathyeshmërisë tënde’.

Postimi i Blushit:

“Me këtë foto tonë në vendlindjen e tij të dashur, Çepan, i uroj gëzuar ditëlindjen edhe 100 vite të reja me shëndet të plotë, mbarësi dhe lumturi, presidentit Ilir Meta, i cili padrejtësisht ndodhet sot i izoluar politikisht në ekstrem nga armiqtë më të egër të lirisë, dinjitetit njerëzor, demokracisë, pluralizmit politik dhe kombit shqiptar.
Lider patriot e guximtar, burrë shteti vizionar dhe misionar i kauzave të mëdha kombëtare, Ilir Meta është kthyer në simbolin më frymëzues të Lirisë, të Demokracisë, të qëndresës dhe rezistencës përballë së keqes, padrejtësisë dhe autokracisë.
Urimet më të përzemërta për Ilir Metën t’i kthejmë në votë plebishitare për të në Qarkun e Tiranës dhe në Fitore Madhështore më 11 Maj për t’u rikthyer Lirinë të gjithë shqiptarëve të ndershëm dhe patriotë!
Liria do të triumfojë! Malet tona më të larta janë simboli i pathyeshmërisë së tij dhe Partisë së Lirisë!”