Film & Tv Music

Bojken Lako: “Top Albania Radio magjike, hapësira që na bëri të ecim përpara!”

14 Shkurt 2026, ditëlindja e 28-të e Top Albania Radio. Mëngjesin e sotëm në studion e “Wake Up”, ka qenë Bojken Lako, ish-drejtor artistik në TAR, duke sjellë ndërmend kujtimet e tij në radion më të dashur të shqiptarëve.

Si ishte të punoje në Top Albania Radio?

Kam punuar nga viti 1999 deri në 2009, pra 10 vjet. Më vjen shumë mirë që më ftojnë në këtë ditë, është diçka shumë e bukur dhe e kujtoj me shumë kënaqësi sepse nuk e gjej më atë atmofserë dhe energji. Ka qenë shumë magjike, me ëndrra, kishte një dritë dhe hapësirë për të ecur përpara. Ishte komplet tjetër kohë. E kujtoj me shumë kënaqësi, kam shumë kujtime që më vijnë në kokë.

Cilat kanë qenë disa vështirësi gjatë asaj kohe?

Më duket sikur nuk kishte, sepse ishte Tani vetë ai që kishte idenë për të krijuar Top Albania Radion. Unë nuk kam qenë që nga dita e parë. Kur doli në fillim radio, ato tre muajt e parë, nuk kishte programe, por dukej që ishte diçka qe do shpërthente nga këto detjet e vogla. Kur filloi puna më dukej sikur nuk kishte vështirësi. Tani krijoi një besim tek unë dhe tek Dritan Brahimllari, i cili krijoi Radio Mania. Pati shumë sukses dhe Tani më tha që nëse ke shokë të talentuar, m’i prezanto të gjithë dhe të fillojnë të gjithë punë. Shihja veten në punë me shokë të Akademisë së Arteve.

Cila është një këshillë që do i jepje sot atyre që punojnë në radio?

Në radhë të parë duhet të besojnë që radio është faktor, shpërndan ide të mira, energji të mirë. Është e thjeshtë për t’u kapur. Më vjen keq që sot muzika dëgjohet në forma të ndryshme, më shumë se sa dëgjohet në radio. Njerëzit duke dëgjuar radio, dëgjojnë atë që duhet, nuk ka nevojë të rrijnë nëpër celularë, faqe, bloge të ndryshme. Këtë gjë radio e bën shumë mirë, sepse janë profesionistët që punojnë aty dhe mendojnë për atë gjë. Besoni që radio është një pjesë shumë e rëndësishme.