Art & Kulturë

Booker Prize 2025, fitoi një histori e fuqishme!

Çmimi Booker Prize është vlerësimi më i lartë letrar në Mbretërinë e Bashkuar për letërsinë artistike dhe vlerëson romane të shkruara në gjuhën angleze. Këtë vit, çmimi i është dhënë shkrimtarit hungarezo-britanik David Szalay për romanin e tij “Flesh” (“Mish”), i cili trajton tema të tilla si maskuliniteti, emigracioni dhe pushteti.

Shkrimtari, i lindur në Kanada dhe me origjinë hungareze, 51-vjeçari Szalay, fitoi çmimin Booker Prize for Fiction për romanin e tij të gjashtë, duke kryesuar mbi pesë finalistë të tjerë të përzgjedhur në listën e ngushtë të kandidaturave.

Ndër ta ishin Andrew Miller me romanin “The Land in Winter” dhe autorja indiane Kiran Desai me “The Loneliness of Sonia and Sunny”. Çmimi, që përveç prestigjit sjell edhe një shpërblim financiar prej 50,000 paundësh (rreth 57,000 euro), njihet për ndikimin e menjëhershëm që ka në rritjen e shitjeve dhe reputacionit të fituesit në botën letrare.

Szalay u përzgjodh nga 153 romane të paraqitura, nga një juri që përfshinte shkrimtarin irlandez Roddy Doyle dhe aktoren e njohur të serialit Sex and the City, Sarah Jessica Parker. Sipas Doyle, romani “Flesh”, një libër “rreth jetës dhe çudisë së të jetuarit”, u bë zgjedhja unanime e jurisë pas një diskutimi pesëorësh.

I shkruar me një prozë të përmbajtur dhe elegante, “Flesh” rrëfen një histori të pazakontë “nga varfëria drejt pasurisë”, për Istvánin, një i ri me origjinë punëtore nga Hungaria, i cili fillimisht përpiqet të mbijetojë si emigrant në Britani dhe më pas ngjitet në majat e suksesit dhe pasurisë në elitën e shoqërisë londineze.

Romani eksploron me thellësi temat e klasës, identitetit mashkullor, emigracionit dhe marrëdhënies me pushtetin.

Roddy Doyle tha se “ajo që na pëlqeu veçanërisht tek Flesh ishte unikaliteti i tij. Nuk ngjan me asnjë libër tjetër. Është një libër i errët, por për të gjithë ne ishte një kënaqësi ta lexonim.”

Szalay shpjegoi se ideja për romanin lindi nga “përbërës të thjeshtë, themelorë”. Ai kishte në mendje “të shkruante një libër që të ishte njëkohësisht hungarez dhe anglez” dhe që të trajtonte “jetën si përvojë fizike”.

Gjatë ceremonisë së ndarjes së çmimit në Old Billingsgate, Szalay falënderoi jurinë që vlerësoi romanin e tij “të guximshëm”. Ai kujtoi një bisedë me redaktoren e tij, ku e kishte pyetur me humor:

A mund ta imagjinosh një roman me titull “Flesh” që fiton Booker Prize? Tani e ke përgjigjen, tha ai duke marrë trofeun në duar.

I themeluar në vitin 1969, Booker Prize vlerëson romane në gjuhën angleze nga autorë në mbarë botën dhe gëzon reputacion si një çmim që ndryshon rrjedhën e karrierës së shkrimtarëve. Fitues të mëparshëm të tij kanë qenë figura të mëdha të letërsisë botërore si Salman Rushdie, Ian McEwan, Margaret Atwood, dhe Samantha Harvey, e cila fitoi çmimin e vitit 2024 me romanin mbi një stacion hapësinor, “Orbital”. /shqip.al