Aktualitet Art & Kulturë

Pse shkollat po kthehen te librat në epokën e ekraneve?

Dje u festua Dita Botërore e Librit dhe e të Drejtës së Autorit, një datë që UNESCO e ka kthyer prej vitesh në thirrje globale për të promovuar leximin, botimin dhe mbrojtjen e autorësisë.

Për vitin 2026, fokusi i UNESCO-s lidhet me leximin, librat dhe shkrimin e leximin përmes shumëgjuhësisë, ndërsa Rabat është shpallur Kryeqyteti Botëror i Librit 2026.

Në një kohë kur fëmijët dhe të rinjtë kalojnë gjithnjë e më shumë kohë para ekraneve, libri po shihet sërish jo thjesht si mjet kulture, por si nevojë për përqendrim, imagjinatë dhe zhvillim mendor.

Leximi si “ushtrim” për trurin

Këtë vit, një pjesë e debatit për Ditën Botërore të Librit u përqendrua edhe te përfitimet që leximi mund të ketë për shëndetin e trurit.

Studime të cituara nga institucione si Rush University Medical Center dhe University of California sugjerojnë se njerëzit që janë angazhuar rregullisht me lexim dhe aktivitete të tjera mendore gjatë jetës kanë shfaqur ritme më të ngadalta të dobësimit të funksioneve mendore në moshë të madhe.

Në një studim të cituar gjerësisht, personat në të tetëdhjetat që kishin lexuar gjatë jetës rezultuan me dobësim të funksioneve mendore rreth 32% më të ulët se ata që nuk e kishin pasur këtë zakon.

Ideja pas kësaj lidhet me atë që studiuesit e quajnë “rezervë të funksioneve të trurit”, pra aftësia e trurit për të ruajtur funksionet edhe kur përballet me dëmtime apo plakje.

Leximi e ushtron trurin duke e detyruar të ndërtojë imazhe, të ndjekë personazhe, të lidhë ngjarje dhe të parashikojë çfarë vjen më pas.

Pse librat po fitojnë terren ndaj ekraneve

Ndryshe nga leximi, përmbajtja në ekran shpesh ofron gjithçka të gatshme: figurën, ritmin, tingullin dhe interpretimin.

Pikërisht për këtë arsye, shumë sisteme arsimore po rishikojnë raportin e nxënësve me telefonat dhe pajisjet dixhitale.

Në Los Angeles, distrikti i dytë më i madh shkollor në SHBA miratoi këtë javë një masë për të vendosur kufij mbi kohën para ekranit gjatë detyrave në klasë, pas shqetësimeve për ndikimin e ekspozimit të tepërt te përqendrimi, ankthi dhe zhvillimi i aftësive njohëse të fëmijëve. Kjo vjen pasi distrikti kishte vendosur më herët edhe ndalim të telefonave celularë.

Në Poloni, ministrja e Arsimit tha në mars se vendi planifikon të ndalojë përdorimin e telefonave celularë në shkolla për fëmijët nën 16 vjeç, duke iu bashkuar prirjes europiane për të kufizuar shpërqendrimin nga ekranet.

Edhe në Holandë, një studim i porositur nga qeveria konstatoi se ndalimi i telefonave inteligjentë dhe pajisjeve të tjera elektronike në shkolla ka përmirësuar përqendrimin e nxënësve.

Në Francë, presidenti Emmanuel Macron u bëri thirrje adoleshentëve të kenë të paktën një ditë në muaj pa ekrane, duke sugjeruar që kjo kohë të përdoret për aktivitete si leximi dhe teatri.

Më shumë njerëz blenë libra elektronikë dhe audiolibra në vitin 2025

Në vitin 2025, 9.5% e banorëve të BE-së, që kishin përdorur internetin në tre muajt e fundit, blenë libra elektronikë ose audiolibra në tre muajt para anketës mbi përdorimin e TIK-ut në familje nga individët, nga 7.3% që ishte kjo përqindje në vitin 2024.

Mes vendeve të BE-së, përqindjet më të larta të popullsisë që blinte libra elektronikë dhe audiolibra u raportuan në Irlandë (24.5%), Danimarkë (22.5%) dhe Kroaci (21.0%). Në të kundërt, përqindjet më të ulëta, nën 5%, u regjistruan në Hungari, Itali, Slloveni dhe Letoni.

Kroacia shënoi rritjen më të madhe të banorëve që blenë libra elektronikë dhe audiolibra, me 16 pikë përqindje krahasuar me vitin 2024, e ndjekur nga Greqia (+7.2 pikë përqindje), Gjermania (+3.7 pikë përqindje) dhe Qiproja (+4.0 pikë përqindje), ndërsa Finlanda (-4.8 pikë përqindje), Portugalia (-1.6 pikë përqindje) dhe Malta (-0.1 pikë përqindje) regjistruan rënie.