Art & Kulturë Bota

Çfarë të vizitoni në Rabat, Kryeqytetin e ri Botëror të Librit!

Rabati, një nga qytetet më të gjallëruara dhe më pak të vlerësuara të Marokut, është shpallur zyrtarisht Kryeqyteti Botëror i Librit nga UNESCO për vitin 2026, duke marrë këtë titull nga Rio de Zhaneiro.

Duke nisur nga 23 prilli 2026, ky është një vit i tërë festimesh në mbarë qytetin, kushtuar shkrim-leximit dhe letërsisë.

Programi fokusohet te lufta kundër analfabetizmit në komunitetet e pafavorizuara, nxitja e grave dhe fëmijëve për të lexuar, si dhe forcimi i industrisë vendase të botimeve.

Një tjetër synim është përmirësimi i aksesit te librat, duke e bërë leximin pjesë të jetës së përditshme dhe të hapësirave si parqet dhe kafenetë.

Rabati u përzgjodh kryesisht për skenën e tij të gjallë letrare, si një pikëtakim kulturor, ndërsa qyteti pret një nga panairet më të mëdha të librit në Afrikë, Panairin Ndërkombëtar të Librit dhe Botimeve (SIEL).

Nëse po vizitoni Rabatin këtë vit, ja çfarë mund të shohin dhe të bëjnë dashamirësit e librave në këtë qytet të Afrikës së Veriut.

Shkoni në Panairin Ndërkombëtar të Librit dhe Botimeve (SIEL)

Ky panair i njohur i librit mbahet nga 30 prilli deri më 10 maj këtë vit dhe është panairi më i madh i librit në Marok.

Vizitorët mund të shijojnë atmosferën e gjallë, me mijëra pjesëmarrës dhe më shumë se 700 pjesmarrës nga rreth 50 vende.

Panairi i këtij viti është edhe më i veçantë, pasi përkon me shpalljen e Rabatit si Kryeqytet Botëror i Librit.

Franca do të jetë vendi i ftuar i nderit në SIEL 2026, me pjesëmarrjen e nobelistes Annie Ernaux, ndërsa panairi synon të forcojë partneritetet mes shkrimtarëve, botuesve dhe përkthyesve francezë e marokenë.

Ai do të nderojë gjithashtu Ibn Battuta-n dhe diasporën marokene. Vizitorët mund të ndjekin seminare, panele dhe lexime poezish, si edhe podkaste dhe diskutime mbi letërsinë arabe për fëmijë.

Shëtisni mes tezgave të librave në Medinë

Nëse kërkoni librin tuaj të radhës, ndërsa eksploroni një anë më autentike të Rabatit, vizitoni Medinën e qytetit të vjetër dhe Rue des Consuls, ku gjenden librari tradicionale, dyqane të kaligrafisë arabe dhe tezga antikuarësh.

Mos harroni të gjeni dyqanin legjendar të Mohammed Aziz-it, për të përjetuar shijen e një “biblioteke të gjallë”. Aziz është një nga librashitësit më të vjetër të Rabatit, me një tezgë plot me mijëra libra të përdorur. / shqip.al