Bota

Bota nderon ish-presidentin amerikan, Jimmy Carter/U nda nga jeta 100 vjeç!

Politikanët në mbarë botën reaguan për vdekjen e ish-presidentit amerikan Jimmy Carter, si edhe me mirënjohje për trashëgiminë e tij. Presidenti amerikan,  Joe Biden e vlerësoi demokratin si “njeri të parimeve, besimit dhe thjeshtësisë”. Në një deklaratë, Biden dhe bashkëshortja Jill shkruan:

Amerika dhe bota kanë humbur një lider, burrë shteti dhe humanist të jashtëzakonshëm. Nëse dikush po kërkon se çfarë është një jetë me kuptim dhe rëndësi, një jetë e mirë, të shikojë Jimmy Carter-in!

Biden njoftoi funeral shtetëror për Carter-in.

Ish-presidenti demokrat i SHBA-ve,  Barack Obama, vlerësoi Carter-in si një model për “dinjitetin dhe drejtësinë”.

Jimmy Carter na mësoi të gjithëve se çfarë do të thotë të jetosh një jetë me dashamirësi, dinjitet, drejtësi e shërbim për të tjerët. I dërgojmë mendimet dhe lutjet tona familjes Carter e të gjithë atyre që e deshën dhe mësuan nga ky njeri i jashtëzakonshëm.

Edhe presidenti i sapozgjedhur i SHBA-ve,  Donald Trump vlerësoi Carter-in, si president që “bëri gjithçka në fuqinë e tij për të përmirësuar jetën e të gjithë amerikanëve” gjatë një kohe sfiduese.

Të gjithë i detyrohen atij një borxh të madh mirënjohjeje për këtë.

Ndryshe nga rregulli i pashkruar, Carter i kritikoi vazhdimisht presidentët që pasuan, përfshirë republikanin Trump. Ish-presidenti republikan amerikan Xhorxh W. Bush e quajti Carter-in “njeri me bindje të thella”.

Trashëgimia e tij do të frymëzojë amerikanët për breza të tërë.

Kancelari gjerman, Olaf Scholz e përshkroi Carter-in si “luftëtar të përkushtuar për demokracinë”.

Bota humbi një ndërmjetës të madh që punonte për paqen në Lindjen e Mesme dhe të drejtat e njeriut. Ne mbajmë zi me miqtë tanë amerikanë.

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky vlerësoi mbështetjen e Carter-it për Ukrainën.

Gjatë mandatit të Carter-it, Ukraina ende nuk ishte e pavarur. Por, zemra e tij ishte fort në anën tonë, në luftën tonë të vazhdueshme për liri. Ne e vlerësojmë shumë përkushtimin e tij të palëkundur ndaj besimit të krishterë dhe vlerave demokratike, si dhe mbështetjen e tij të palëkundur për Ukrainën përballë agresionit të paprovokuar të Rusisë.

Kryeministri britanik, Keir Starmer theksoi “përkushtimin e Carter-it për paqen”.

Me angazhimin e tij të jashtëzakonshëm për drejtësi sociale dhe të drejtat e njeriut, ripërcaktoi kohën pas presidencës së tij.

“Mendimet e popullit francez janë gjithashtu me amerikanët”, deklaroi presidenti francez Emanuel Macron.

Jimmy Carter luftoi gjatë gjithë jetës së tij për të drejtat e më të dobtëve, pa u lodhur për paqen. Franca i shpreh ngushëllimet më të thella familjes së tij dhe popullit amerikan!

Siç njoftoi fondacioni i tij, ish-presidenti amerikan, Jimmy Carter vdiq dje në shtetin amerikan të Xhorxhias, i rrethuar nga familja. Demokrati ishte president i SHBA-ve në vitet 1977-1981. Pas mandatit në Shtëpinë e Bardhë, u vlerësua në botë si ndërmjetës në konfliktet ndërkombëtare në zona të tilla si Lindja e Mesme, Koreja e Veriut dhe Ruanda. Në vitin 2002 u nderua me Çmimin Nobel për Paqen. Jimmy Carter jetoi 100 vjet, plot një shekull.