Ish-presidenti amerikan, Jimmy Carter mbylli sytë në moshën 100-vjeçare. I zgjedhur në Shtëpinë e Bardhë për një mandat në vitet 1977-1981, presidenca e tij u shënua nga dy momente të rëndësishme: marrëveshja e Camp David-it e vitit 1978 mes Egjiptit e Izraelit, si dhe kriza e pengjeve amerikane në Iran, me ndikim në humbjen e mandatit të dytë në garën për Shtëpinë e Bardhë.
Djali i një fermeri nga Georgia që kultivonte kikirikë, Carter u bë guvernator i shtetit nga viti 1971 deri më 1975-ën e më 1976-ën, arriti të shkonte në Shtëpinë e Bardhë duke mundur Gerald Ford-in teksa premtoi ndershmëri dhe përgjegjësi pas viteve të vështira të Vietnamit e skandalit Watergate që rrëzoi presidentin Richard Nixon nga pushteti.
Kur u mund nga republikani Ronald Reagan në zgjedhjet presidenciale, Carter iu përkushtua krijimit dhe mbështetjes ndaj Qendrës së tij Carter. E themeluar në vitin 1982, është një qendër aktive për kujdesin shëndetësor, demokracinë dhe të tjera çështje aktuale në Shtetet e Bashkuara. Ky angazhim i dha Çmimin Nobel për Paqen në vitin 2002.
Ish-presidenti mbrojti demokracinë globale dhe të drejtat e njeriut për dekada, duke kritikuar shumë nga zgjedhjet e politikës së jashtme të Uashingtonit, si luftërat e Shteteve të Bashkuara në Lindjen e Mesme, izolimin e Koresë së Veriut nga Perëndimi dhe trajtimin e Palestinës nga Izraeli.
Në vitin 2015, Jimmy Carter njoftoi se vuante nga kanceri i mëlçisë, i përhapur në të tjera pjesë të trupit. Pasi iu nënshtrua disa operacioneve, në shkurt 2023, Qendra Carter bëri të ditur se ish-shefi i Shtëpisë së Bardhë do të ndalonte çdo trajtim spitalor, duke u kthyer në shtëpi. Pavarësisht sëmundjes, arriti rekordin si ish-presidenti amerikan më jetëgjatë. Gruaja e tij Rosalynn, vdiq në nëntor 2023, në moshën 96-vjeçare.
Në muajin gusht, pak para se të mbushte 100 vjeç (arriti një shekull jetë më 1 tetor), Jimmy Carter i tha djalit të tij Chip se gjëja e fundit që donte të bënte ishte të ndihmonte për të mposhtur Donald Trumpin dhe se për këtë arsye shpresonte të jetonte mjaftueshëm për të votuar Kamala Harrisin. Jimmy Carter ia doli që ta votonte, por jo të realizonte ëndrrën e tij politike.