Sport

Bota përkulet para Spanjës, mediat shpërthejnë pas eliminimit të Francës nga Botërori

Fitorja e Spanjës ndaj Francës në gjysmëfinalen e Kupës së Botës ka pushtuar faqet e para të mediave më prestigjioze sportive në botë, të cilat kanë vlerësuar paraqitjen e jashtëzakonshme të skuadrës iberike dhe zhgënjimin e madh të “Les Bleus”.

Në Spanjë, festimi ka qenë i madh. “Marca” e ka cilësuar suksesin si “një dush historik”, duke theksuar se Spanja siguroi finalen e dytë të Botërorit pas një paraqitjeje që anuloi plotësisht Francën.

“AS” shkruan se “një Spanjë e jashtëzakonshme nuk i lejoi asgjë Francës dhe kalon në finale”, ndërsa mediat katalanase kanë vënë në qendër yllin e Barcelonës, Lamine Yamal, dhe lojën e shkëlqyer të ekipit spanjoll.

“Sa të mëdhenj”, ishte titulli i “El Mundo Deportivo” dhe “Sport”, që vlerësuan paraqitjen e “La Roja” dhe mënyrën se si skuadra kontrolloi ndeshjen ndaj një prej favoriteve të turneut.

Në Francë, tabloja ishte krejt ndryshe. “L’Equipe” e përshkroi eliminimin si një mundësi të humbur për të arritur finalen e tretë të Botërorit, duke shkruar për një skuadër që nuk arriti të përballonte ritmin e Spanjës.

Edhe gazetat e tjera franceze folën për zhgënjim të madh, duke vënë në dukje paraqitjen e dobët të Francës dhe vështirësitë e Kylian Mbappes për të ndryshuar fatin e takimit.

Jehona e suksesit spanjoll ka kaluar kufijtë e Europës. Mediat nga Portugalia, Brazili dhe Gjermania kanë vlerësuar “revolucionin spanjoll”, serinë e rezultateve pozitive dhe mënyrën se si skuadra iberike u imponua ndaj Francës.

Spanja tashmë pret kundërshtarin e finales, me synimin për të fituar trofeun e dytë të Kupës së Botës në historinë e saj.