Franca dhe Spanja do të përballen nesër në orën 21:00 në gjysmëfinalet e Kupës së Botës 2026, në një duel që premton spektakël jo vetëm për cilësinë në fushë, por edhe për vlerën marramendëse të futbollistëve që do të zbresin në lojë.
Sipas vlerësimeve të merkatos, dy kombëtaret përfaqësojnë një vlerë totale prej 2.74 miliardë eurosh. Franca kryeson me një organikë të vlerësuar në 1.52 miliardë euro, ndërsa Spanja ndjek me 1.22 miliardë euro.
Në këtë supersfidë do të jenë katër nga pesë futbollistët më të vlefshëm të turneut. Lamine Yamal kryeson me një vlerë prej 200 milionë eurosh, i ndjekur nga Kylian Mbappe me 180 milionë, ndërsa Michael Olise dhe Pedri vlerësohen nga 150 milionë euro secili. Vetëm Erling Haaland, i cili nuk është pjesë e këtij dueli, ka të njëjtën vlerë si Yamal.
Franca dhe Spanja kanë gjithashtu shtatë futbollistë me vlerë mbi 100 milionë euro dhe 22 të tjerë që kapin ose kalojnë shifrën e 50 milionë eurove. Nga këta, shtatë janë pjesë e Spanjës, ndërsa 15 aktivizohen me Francën.
Analiza sipas reparteve tregon se Spanja ka avantazh te portierët, me një vlerë totale prej 97 milionë eurosh kundrejt 57 milionëve të Francës. ‘Blutë’ dominojnë në mbrojtje me 404 milionë euro ndaj 288 milionëve të spanjollëve, ndërsa mesfusha favorizon ‘Furinë e Kuqe’ me 420 milionë euro kundrejt 312 milionëve të francezëve.
Diferencën më të madhe e bën sulmi. Pavarësisht pranisë së Lamine Yamal, reparti ofensiv i Francës vlerësohet në rreth 750 milionë euro, duke i dhënë skuadrës së Didier Deschamps epërsinë në vlerën totale të merkatos.