Aktualitet

Bota tronditet nga tarifat Trump, bien aksionet!

Lëvizja e presidentit Donald Trump për të vendosur tarifa gjithëpërfshirëse mbi importet amerikane ndaj aleatëve dhe rivalëve, ndezi kërcënimet për hakmarrje, duke intensifikuar një luftë tregtare globale që kërcënon të nxisë inflacionin dhe duke rritur frikën e recesionit. Tarifat e shpallura shkaktuan turbulenca në tregjet botërore dhe u dënuan nga udhëheqësit e tjerë, që po përballen me fundin e një epoke të liberalizimit të tregtisë, që ka formësuar rendin global për dekada.

Trump tha se do të vendoste një tarifë bazë 10% për të gjitha importet në Shtetet e Bashkuara dhe tarifa më të larta për disa nga partnerët më të mëdhenj tregtarë të vendit. Sipas Fitch Ratings, norma efektive e taksës së importit në SHBA është rritur në 22% nën Trump nga vetëm 2.5% në 2024, duke arritur nivelet e vitit 1910.

Teksa investitorët përpunuan lajmet, tregjet e aksioneve në Pekin dhe Tokio ranë në nivelet më të ulëta në muaj. Aksionet europiane gjithashtu ranë ndjeshëm në tregtinë e mëngjesit, me eksportuesin kryesor të mallrave, Gjermaninë, të goditur rëndë. Kontratat e së ardhmes në Wall Street u fundosën, pasi investitorët hoqën asetet më të rrezikshme në favor të obligacioneve të sigurta dhe arit.

Tani duke u përballur me tarifa 54% mbi eksportet në SHBA, ekonomia numër dy në botë, Kina, u zotua për kundërmasa, ashtu si edhe Bashkimi Europian, miqtë dhe armiqtë e Uashingtonit, të bashkuar në kritikat ndaj masave, që ata kanë frikë se do t’i japin një goditje shkatërruese tregtisë globale.

Pasojat do të jenë të tmerrshme për miliona njerëz anembanë globit, tha presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, duke shtuar se blloku 27-anëtarësh po përgatitet të kundërpërgjigjet nëse bisedimet me Uashingtonin dështojnë.

Shefi i Thesarit të SHBA-ve, Scott Bessent paralajmëroi më herët se çdo lëvizje hakmarrëse do të çonte vetëm në përshkallëzim. Në mesin e aleatëve të ngushtë të SHBA-ve, Bashkimi Europian ishte në shënjestër me një normë 20%, Japonia me 24%, Koreja e Jugut me 25 e Tajvani me 32. Edhe disa territore të vogla dhe ishuj të pabanuar në Antarktikë u goditën nga tarifat, sipas një liste të postuar nga Shtëpia e Bardhë në X.

Ky nuk është veprimi i një miku, tha kryeministri i Australisë Anthony Albanese. Tarifat e administratës Trump nuk kanë bazë logjike dhe ato shkojnë kundër bazës së partneritetit të dy kombeve tona.