Aktualitet Bota Rajoni

Tarifave të Trump-it nuk iu shpëtojnë as Shqipëria e Kosova!

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, njoftoi se do të vendosë tarifë bazë prej 10% për importet nga të gjitha vendet e botës, përfshirë nga Shqipëria e Kosova, si dhe vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor. Po ashtu, njoftoi për tarifa më të larta për dhjetëra vende që kanë suficit tregtar me Shtetet e Bashkuara, duke rritur rrezikun për një luftë tregtare e rritje të inflacionit.

Ndaj mallrave të importuara nga vendi ynë është vendosur tarifë prej 10%, po ashtu ndaj atyre nga Kosova. Serbia 37%, Bosnjë-Hercegovina 35% dhe Maqedonia e Veriut, 33.

Organizatat ekonomike në Kosovë thonë se nga viti 2019, ka nisur rritja e eksporteve të përgjithshme të vendit në SHBA.

Këtë e tregojnë edhe të dhënat e Doganës së Kosovës, sipas të cilave, vlera e tyre në vitin 2019 ishte tre milion euro, ndërsa tre vjet më vonë arriti në mbi 131 milion (2022).

Produktet që eksporton Kosova në SHBA, përfshijnë: ushqime, lëngje, tekstil, dyshekë, por dhe prodhime nga druri e plastika.

Duke folur në Shtëpinë e Bardhë, Trump tha se ndaj importeve nga Kina do të vendoset tarifë prej 34%, atyre nga Bashkimi Europian 20, të Koresë së Jugut 25% dhe Japonisë, 24. Zyrtarë të lartë të Shtëpisë së Bardhë iu thanë gazetarëve se tarifa bazë prej 10% hyn në fuqi më 5 prill, ndërsa reciproket, më 9 prill.

Trump shpalli emergjencë ekonomike kombëtare për t’i zbatuar tarifat, që pritet të prodhojnë miliarda dollarë të ardhura vjetore. Ai ka premtuar se vendet e punës në fabrika do të kthehen në Shtetet e Bashkuara si rrjedhojë e këtyre tarifave, por politikat e tij rrezikojnë ngadalësim të papritur ekonomik pasi konsumatorët dhe bizneset mund të përballen me rritje të mëdha të çmimeve për automjetet, rrobat e mallra të tjera.

Taksapaguesit janë grabitur për më shumë se 50 vjet. Por, kjo nuk do të ndodhë më.

Vendosja e tarifave ishte një nga premtimet kryesore të Trump-it gjatë fushatës. Më herët, presidenti vuri tarifa të ngjashme prej 25% mbi importet e automjeteve; tarifa kundër Kinës, Kanadasë e Meksikës; si dhe zgjerimin e penaliteteve tregtare mbi çelikun dhe aluminin.

Gjithashtu ka vendosur tarifa ndaj vendeve që importojnë naftë nga Venezuela e planifikon taksa të veçanta mbi importet e barnave farmaceutike, drurit, bakrit dhe çipave kompjuterikë.