Bota

Tarifat e SHBA-ve nxisin reagime në botë!

Bashkimi Europian reagoi ndaj vendimit të Trump-it, duke u shprehur i gatshëm t’iu përgjigjet tarifave të reja amerikane. Por, presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen i bëri thirrje presidentit që shqetësimet e tij, t’i adresojë përmes dialogut. Zyrtarja e lartë shtoi se BE-ja është “e gatshme të përgjigjet”.

Më vjen keq për këtë zgjedhje. Duket se nuk ka asnjë rregull në këtë kaos. Asnjë rrugë e qartë përmes kompleksitetit dhe kaosit që po krijohet, teksa të gjithë partnerët tregtarë të SHBA-ve po goditen. Ne tani po përgatitemi për kundërmasa të mëtejshme, për të mbrojtur interesat dhe bizneset tona nëse negociatat dështojnë.

BE-ja u godit me 20% tarifa nga Amerika. Paraprakisht, Trump i vendosi ndaj importeve të çelikut dhe aluminit të BE-së, por edhe automjeteve e pjesëve për to. Blloku ka kërkuar që të zgjidhë shqetësimet tregtare të Trump-it përmes dialogut e von der Leyen, sërish e la të hapur derën e dialogut.

Ka një rrugë alternative. Nuk është vonë për të adresuar këto shqetësime përmes negociatave.

Sipas zyrtares së lartë europiane, tarifat e reja do të prekin konsumatorët në mbarë botën.

Do të ndihet menjëherë. Miliona qytetarë do të përballen me çmime më të larta të produkteve ushqimore. Ilaçet do të kushtojnë më shumë, sikurse edhe transporti. Inflacioni do të rritet.

Për shkak të vendimit të Trump-it, presidenti i Francës, Emmanuel Macron, sot do të takohet me përfaqësuesit e sektorëve francezë “të prekur nga tarifat” amerikane, siç dhe bëri të ditur Pallati Elize.

Tarifat kanë prekur edhe Mbretërinë e Bashkuar, aleatin e Uashingtonit. Londra zyrtare tha se shpreson që të arrijë një marrëveshje tregtare me Uashingtonin. Por, sekretari britanik për Biznesin, Jonathan Reynolds, paralajmëroi se shteti i tij ka një sërë mjetesh në dispozicion e nuk do të hezitojë që të veprojë.

Italia kritikoi vendimin amerikan për tarifa, duke i kërkuar BE-së që të arrijnë një marrëveshje, teksa vuri në dukje se një luftë tregtare “do ta dobësonte Perëndimin”.

Vendosja e tarifave nga SHBA-të ndaj Bashkimit Europian është një masë që unë e vlerësoj të gabuar dhe nuk është në interesin e asnjërës palë, deklaroi kryeministrja italiane, Giorgia Meloni.