Sport

“Botërori 2026”, publikohet lista e Kombëtares për ndeshjet me Anglinë dhe Andorrën!

Shqipëria bëhet gati për të nisur misionin më të ri, Kampionatin Botëror 2026. Trajneri i Kombëtares, Sylvinho publikoi listën me 26 lojtarët e ftuar në dy ndeshjet e para kualifikuese të kuqezinjve, përballë Anglisë dhe Andorrës. Një listë me emra që jemi mësuar t’i shohim shpesh e po ashtu me prurje të reja, teksa një rol e kanë luajtur dhe dëmtimet.

Elseid Hysaj, Keidi Bare, Indrit Tuci dhe Mario Mitaj janë disa nga emrat që nuk kanë arritur që t’ia dalin të jenë pjesë e listës për shkak të dëmtimeve, ndërsa një surprizë është mungesa e Anis Mehmetit.

Përveç emrave të Berat Gjimshitit, Jasir Asanit, Kristjan Asllanit, etj, shihen dhe rikthimet në Kombëtare të Armando Brojës e Naser Alijit. Emri i ri është i shumëpërfoluri, Etnik Brruti, 21-vjeçari i cili për herë të parë do të veshë fanellën kuqezi. Gjithashtu, Juljan Shehu.

Shqipëria do të luajë të premten e 21 marsit përballë Anglisë në Wembley dhe tre ditë më vonë do të presë në Arenën Kombëtare skuadrën e Andorrës, ndeshje të vlefshme për Kualifikueset e Botërorit “SHBA-Kanada-Meksikë 2026”.