Aktualitet

Britani, rinisin kërkimet për ish-zyrtarin e SHIK-ut, Ilir Kumbaro!

Autoritetet britanike rihapën çështjen e kërkimit ndaj ish-zyrtarit të lartë të SHIK-ut, Ilir Kumbaro, i akuzuar për rrëmbimin dhe torturimin e tre shtetasve në vitin 1995, siç raportojnë mediat atje. Kumbaro është zhdukur prej 14 vitesh në Mbretërinë e Bashkuar, pasi u arratis nga drejtësia britanike në dhjetor 2011, pak para se të dilte në gjyq, për t’u ekstraduar në vendin tonë.

Nga drejtësia shqiptar akuzohet lidhur me rrëmbimin dhe torturimin e Remzi Hoxhës, Zizo Kristopullit e Avdyl Loshajt, në një magazinë në Tiranë, më 21 tetor 1995, pra 30 vjet më parë. Remzi Hoxha, biznesmen dhe baba i pesë fëmijëve, është zhdukur prej asaj dite e konsiderohet i vrarë. Familjarët e viktimave kanë kërkuar prej vitesh drejtësi dhe dënimin e personave përgjegjës.

Kumbaro u largua drejt Britanisë në vitin 1996, kur edhe arriti të siguronte azil politik me identitet të rremë, duke pretenduar se ishte refugjat kosovar me emrin Shaqa Shatri.

Ai jetoi për më shumë se një dekadë në Londër, duke përfituar ndihma sociale dhe strehim shtetëror. Maskimi i tij u zbulua në vitin 2008 kur përmes një aplikimi për përfitime të tjera, përdori gabimisht identitetin e tij të vërtetë.

Pavarësisht arrestimit nga policia britanike në shtator 2008, Kumbaro arriti të zhdukej para se të dëgjohej çështja e ekstradimit, duke u besuar se fshihej mes miqve jashtë Londrës.

Në vitin 2012, Gjykata eKrimeve të Rënda në vendin tonë e dënoi në mungesë me 15 vite burg. Scotland Yard tashmë ka hapur një apel të ri publik, në bashkëpunim me Crimestoppers, për të mbledhur informacion që mund të çojë në kapjen e tij. Familja Hoxha e ka përshëndetur këtë zhvillim, duke shpresuar se drejtësia do të vihet në vend.