Sulmet me dronë të Rusisë goditën ndërtesa banimi në Harkiv, në verilindje të Ukrainës, duke vrarë të paktën tre persona dhe kanë plagosur 32 të tjerë, siç njoftuan zyrtarët ukrainas. Goditjet shkaktuan zjarre, siç raportoi guvernatori rajonal, Oleh Synyehubov, i cili shtoi se dy fëmijë ishin në mesin e të plagosurve.
Sipas tij, u shënjestruan disa blloqe banimi shumëkatëshe. Ekipet e shpëtimit ende janë duke kërkuar për të mbijetuar që mund të jenë bllokuar në rrënojat e ndërtesave, referuar autoriteteve.
Kryebashkiaku i Harkivit, Ihor Terekhov, tha se forcat ruse kryen të paktën 14 sulme në Harkiv brenda 40 minutave. Po ashtu, autoritetet raportuan për një të plagosur nga sulmet me dronë në fshatin Ruski Tishki, në periferi të Harkivit, vendbanim që javët e fundit është goditur vazhdimisht nga dronët rusë.
Ndërkaq, në Dnipro, tre persona u plagosën pas një sulmi masiv me dronë, njoftoi guvernatori rajonal. Po ashtu, të paktën shtatë sulme me dronë u kryen në rajonin e Zaporizhjas.
Në Rusi, kryebashkiaku i Moskës, Sergei Sobyanin, tha sot se njësitë kundërajrore ruse kanë zmbrapsur një dron që ishte nisur drejt kryeqytetit rus.
Specialistët e emergjencës po punojnë në vendet ku ranë pjesë të dronit, shkroi ai në Telegram.
Më vonë, agjencitë ruse të lajmeve cituan përfaqësues të agjencisë federale të transportit që thanë se aeroporti Vnukovo, në Moskë, është rihapur për fluturime.
Mediat ruse thanë se edhe dy aeroporte të tjera ishin urdhëruar që të mbylleshin, por ende nuk është e qartë nëse në këto dy aeroporte kanë rinisur fluturimet.