Bota

Bullgaria dhe Rumania bëhen anëtare të plota në Schengen!

Vendet anëtare të Bashkimit Europian i dhanë dritën jeshile Bullgarisë dhe Rumanisë për t’u bërë anëtare me të drejta të plota të Schengen-it, zonës për lëvizjen e lirë. Kjo pritet të ndodhë duke nisur nga fillimi i vitit të ardhshëm.

Eshtë moment historik që më në fund të mirëpresim Bullgarinë dhe Rumaninë, u shpreh ministri i Brendshëm i Hungarisë, Sandor Pinter, vendi i të cilit po mban Presidencën e radhës 6 mujore të bllokut europian, deri në fund të vitit.

Bullgaria dhe Rumania, që të dyja vende anëtare të Bashkimit Europian prej vitit 2007, deri tani kanë qenë pjesërisht të integruara në zonën për lëvizjen e lirë, duke iu mundësuar vetëm trafiku ajror dhe ai detar, pa kontrolle kufitare. Austria pati refuzuar pranimin e plotë të këtyre vendeve në Schengen, duke përmendur shqetësimet rreth emigracionit.

Por në fillimjavë, situata ndryshoi. Vjena zyrtare tha se nuk do të përdorte veton në takimin e ministrave të zhvilluar mëngjesin e sotëm dhe kështu që dy vendet do të jenë anëtare të plota, prej 1 janarit të vitit tjetër.

Bukureshti dhe Sofja i kanë plotësuar të gjitha kriteret teknike që u janë vendosur nga Brukseli më 2010-ën, por kanë pritur më shumë se një dekadë për t’u bërë pjesë e Schengen-it, pasi disa vende kanë qenë kundër ndër vite. Austria hoqi dorë nga veto, vetëm pasi të tri shtetet nënshkruan “pakon për mbrojtjen kufitare”.

Marrëveshja përfshin angazhim të përbashkët të rojeve kufitare në kufirin bullgaro-turk, si dhe kontrolle të përkohshme kufitare në rrugët tokësore e një gjë e tillë për një periudhë gjashtëmujore.

E krijuar në vitin 1985, zona Schengen përbëhet nga 29 shtete, 25 prej 27 vendeve të bllokut europian, si edhe Zvicra, Norvegjia, Islanda e Lihtenshtajni. Kjo është edhe zona më e madhe në botë pa kontrolle të brendshme kufitare. Më shumë se 400 milion njerëz mund të udhëtojnë lirisht brenda saj.