Një studim i ri ndërkombëtar ka zbuluar një fakt befasues për mënyrën se si burrat dhe gratë përfitojnë nga aktiviteti fizik.
Sipas kërkimeve të publikuara më 27 tetor në revistën shkencore “Nature Cardiovascular Research”, burrat duhet të stërviten gati dyfish më shumë se gratë për të arritur të njëjtat përfitime për shëndetin e zemrës.
Studimi përfshiu mbi 85,000 persona dhe tregoi se trupat e meshkujve dhe femrave reagojnë ndryshe ndaj ushtrimeve fizike. Sipas udhëzimeve të CDC dhe Shoqatës Amerikane të Zemrës (AHA), rekomandohen të paktën 150 minuta aktivitet fizik në javë, por rezultatet treguan një pabarazi të qartë në efektet e tij.
Gratë që ndiqnin këtë rutinë javore e ulnin rrezikun e sëmundjeve kardiovaskulare me 22%, ndërsa burrat vetëm me 17%.
Për të arritur të njëjtin nivel mbrojtjeje, burrave u duhet të ushtrohen rreth 530 minuta në javë, ndërsa grave vetëm 250 minuta.
Edhe te pjesëmarrësit që tashmë kishin probleme me zemrën, diferenca ishte e dukshme: aktiviteti fizik uli rrezikun e vdekjes me 70% për gratë dhe vetëm 19% për burrat.
Sipas ekspertëve, kjo diferencë mund të lidhet me nivelet më të larta të estrogjenit, hormon që mbron zemrën tek femrat, por edhe me faktorë biologjikë e sjellorë.
Megjithatë, studiuesit paralajmërojnë se më pak se gjysma e të rriturve arrijnë të përmbushin edhe minimumin e nevojshëm të aktivitetit fizik.
Pavarësisht gjinisë, çdo formë lëvizjeje është e vlefshme për zemrën
– theksojnë autorët e studimit, duke bërë apel për më shumë kujdes ndaj stilit të jetesës dhe lëvizjes së përditshme.