Bota

“Burri që mori miliona jetë dhe shkatërroi timen”, vajza sekrete e Putinit e kritikon atë për luftën në Ukrainë!

Një seri mesazhesh të fshehta në Telegram e kanë rikthyer në qendër të vëmendjes Louisa Rozova-n, 22-vjeçaren që përflitet të jetë vajza sekrete e Vladimir Putinit. Ajo është shfaqur për herë të parë në publik duke kritikuar në mënyrë indirekte presidentin rus dhe duke dënuar hapur luftën në Ukrainë.

Rozova, emri artistik i Elizaveta Krivonogik, shkroi në llogarinë e saj personale në Telegram:

Burri që mori miliona jetë dhe shkatërroi timen.

Edhe pse nuk e përmend drejtpërdrejt Putinin, mesazhi i saj është interpretuar gjerësisht si një akuzë personale ndaj tij, për shkak të indikacioneve të shumta ndër vite që e lidhin me presidentin rus. Sipas raportimeve, ajo është fryt i marrëdhënies së Putinit me ish-muzikanten Svetlana Krivonogik.

Në një tjetër postim, e reja që jeton në Paris dhe punon në fushën e artit, ndau një selfie me mbishkrimin:

Është çliruese të jem në gjendje t’ia tregoj përsëri fytyrën time botës. Më kujton kush jam dhe kush ma shkatërroi jetën.

Këto deklarata janë raportuar nga gazeta gjermane Bild, e cila ka qasje në kanalin e saj të Telegram-it me emrin “Arti i Luizës.” Louisa, e cila dikur postonte rregullisht foto nga udhëtime luksoze dhe festa private me DJ, u zhduk nga rrjetet sociale pas pushtimit të Ukrainës në vitin 2022. Sot, ajo paraqet një profil krejt tjetër – të angazhuar, politikisht të vetëdijshëm dhe në mënyrë të hapur kundër luftës.

E lindur në vitin 2003 në Shën Petersburg, Louisa dyshohet se është vajza e Vladimir Putinit, sipas një hetimi të grupit hulumtues rus Proekt, i cili në vitin 2020 zbuloi detaje për lidhjen e mundshme mes presidentit dhe nënës së saj. Hetimi përmend edhe emrin “Vladimirovna” në certifikatën e saj të lindjes – një tjetër shenjë e fortë lidhjeje.