Bota

Bursat hapen në rënie, nafta mbi 100 dollarë pas dështimit të bisedimeve me Iranin!

Tregjet globale të aksioneve sot janë hapur në rënie, ndërsa çmimet e naftës u rikthyen në mbi 100 dollarë për fuçi, pas dështimit të bisedimeve mes Shteteve të Bashkuara të Amerikës e Iranit, sipas raportimeve të agjencisë Reuters.

Nafta e referencës globale Brent u rrit mbi 101–102 dollarë për fuçi, ndërsa WTI amerikane arriti deri në 104–105 dollarë po për fuçi, duke shënuar një rritje mbi 7% brenda ditës, pas rikthimit të tensioneve gjeopolitike.

Rritja erdhi pasi negociatat mes palëve dështuan dhe Uashingtoni paralajmëroi masa të reja, përfshirë një bllokadë detare ndaj eksporteve iraniane, çka mund të heqë deri në 2 milion fuçi në ditë nga furnizimi global.

Në këtë klimë pasigurie, tregjet financiare reaguan negativisht. Kontratat futures në SHBA ranë me rreth 0.5%–0.9%, ndërsa bursat në Azi dhe tregje të tjera shënuan humbje të ndjeshme, duke reflektuar rritjen e rrezikut.

Analistët paralajmërojnë se rritja e çmimeve të energjisë mund të ketë pasoja të gjera për ekonominë globale. Nafta mbi 100 dollarë për fuçi rrit presionin inflacionist, rrezikon të shtyjë bankat qendrore drejt politikave më të shtrënguara monetare dhe mund të ngadalësojë rritjen ekonomike në muajt në vijim.

Gjithashtu, tensionet në rajonin e Gjirit Persik dhe rreziku për ndërprerje në Ngushticën e Hormuzit, nga ku kalon rreth 20% e furnizimit global me naftë, mbeten faktorët kryesorë që po mbajnë tregjet në presion.

Ekspertët theksojnë se në mungesë të zgjidhjes diplomatike, tregjet pritet të mbeten shumë të paqëndrueshme, ndërsa çmimet e naftës mund të qëndrojnë mbi 100 dollarë ose të rriten më tej, në rast përshkallëzimi të konfliktit, sipas Reuters.