Sport

Çabi Alonso trajneri i ri i Real Madrid: Nis një etapë të re me shumë emocione

Reali i Madridit ka emëruar zyrtarisht Çabi Alonson si trajnerin e ri,  për tri sezonet e ardhshme. Pas disa muajsh diskutimesh dhe pasigurie rreth të ardhmes së Ançelotit, Madridi më në fund ka zgjedhur një projekt të ri dhe një trajner që kombinon njohuritë taktike, përvojën ndërkombëtare dhe një lidhje të thellë me klubin. Ai u prezantua sot para mediave nga presidenti Florentino Perez.

“Mirëmëngjes të gjithëve. Pa dyshim, kjo është një ditë shumë e veçantë për mua, një ditë që do ta shënoj në kalendarin tim për gjithë jetën time. Jam vërtet i lumtur që ndodhem këtu, në atë që e konsideroj shtëpinë time. Lidhja me Real Madridin nuk është lëkundur kurrë dhe, që kur hyra në Valdebebas një orë e gjysmë më parë, kjo ndjenjë ka rilindur tek unë.”

Më tej Çabi Alonso shtoi: “Kam një ndjesi se ky është fillimi i një epoke të re. Florentino, të falënderoj sinqerisht për besimin tënd. Mendoj se tifozët e Real Madridit janë të entuziazmuar që të nisin këtë fazë të re, për t’u rritur dhe për ta bërë historinë e këtij klubi edhe më të madhe. Një falënderim i veçantë shkon edhe për familjen time, e cila është gjithmonë pranë meje.  Para se të filloj të flas për këtë aventurë të re, dua të kujtoj fazën që sapo ka mbaruar. Karlo Ançeloti ishte trajneri im, një person fantastik me një ndikim të madh. Pa udhëzimin e tij, ndoshta nuk do të isha këtu. Unë marr vendin e tij dhe vazhdoj trashëgiminë e tij me nder dhe krenari të madhe. Shpresoj të përmbush pritshmëritë dhe ta çoj klubin aty ku besojmë se mund të arrijmë. Po hyjmë në një epokë të re ku ndiej se klubi dhe tifozët janë të bashkuar. Ne kemi një ekip fantastik, me lojtarë të jashtëzakonshëm dhe potencial të madh. Kjo më jep motivimin për të qenë këtu me kaq shumë energji dhe entuziazëm. Jemi të bindur se mund të arrijmë objektiva të rëndësishëm, të denjë për Real Madridin dhe Kupat e Kampionëve të tij. Duam t’i bëjmë tifozët krenarë, t’u përcjellim emocione dhe gëzim. Ne duam që njerëzit të vijnë në stadium për t’u argëtuar. Nëse mund ta ndezim këtë pasion, do të kemi një forcë të pandalshme. Jemi të bindur se mund të arrijmë gjëra të mëdha. Një mijë herë faleminderit. Rroftë Madridi!”, deklaroi ai.