Bota

Carlo Acutis e Pier Giorgio Frassati shpallen shenjtorë/Papa Leoni të rinjve: Mos e shpërdoroni jetën!

Pier Giorgio Frassati e Carlo Acutis u shpallën shenjtorë nga Papa Leoni XIV, sot gjatë meshës së kanonizimit, të shoqëruar nga 36 kardinalë, 270 peshkopë e mbi 1 mijë e 700 priftërinj. Mijëra besimtarë morën pjesë, të mbledhur në Sheshin e Shën Pjetrit që nga orët e para të mëngjesit, nën masa të rrepta sigurie.

Carlo Acutis ndërroi jetë kur ishte 15 vjeç ndërsa Pier Giorgio Frassati, 24. Të dy u prekën nga sëmundje të papritura e të pashërueshme. Tani, Kisha Katolike ia sjell botës, veçanërisht të rinjve, si shembuj për t’u ndjekur. Jo me karta lutjesh me duar të kapura, por me portrete në lulen e rinisë.

Acutis, i cili vdiq në vitin 2006, në fakt është shenjti i parë “mijëvjeçar” e cilësohet “shenjti mbrojtës i internetit”. Frassati, nga shekulli i kaluar, lë pas kujtime të maleve që i pëlqente të ngjiste. Ai mbylli sytë në vitin 1925, saktësisht 100 vjet më parë dhe iu përkushtua punës sociale e antifashizmit.

Ata janë shenjtorët e parë të shpallur nga Papa Leoni XIV. Dy djem normalë, me problemet në shkollë dhe dashuritë e para, që megjithatë jetuan jetën e tyre të shkurtër sipas Ungjillit. Acutis mblodhi ditarin personal të besimit në kompjuterin e tij, duke e ndarë në internet. Frassati, nga një familje e klasës së mesme të lartë (babai ishte redaktor i La Stampas), gjithmonë mbante anën e të pafavorizuarve.

Dy të rinj të pashëm e në modë, sportivë e gjithmonë të buzëqeshur. Një çelës për t’iu afruar brezave të rinj që po largohen gjithnjë e më shumë nga Kisha. Tubime si Dita Botërore e Rinisë e madje edhe Jubileu i Rinisë në muajin gusht panë njerëz të shumtë të mblidheshin për të qenë së bashku e për t’u lutur, por duhet thënë se kriza e thirrjeve duket e pakthyeshme prej vitesh me radhë tashmë.

Për Carlo Acutis-in, shenjtin e parë, i cili vdiq në vitet 2000, e gjithë familja e tij ishte e pranishme në Sheshin e Shën Pjetrit. Për Frassati-n, mbërritën pasardhësit. Të pranishëm në Vatikan, mbi 80 mijë persona. Ati i Shenjtë kishte një apel të veçantë drejtuar të rinjve:

Mos e shpërdoroni jetën, por kthejeni atë në kryevepër!