Aktualitet

9 vjet nga shenjtërimi i Nënë Terezës!

Më 5 shtator të vitit 2016, botës iu shtua një shenjtore, Nënë Tereza, sot Shenjta Terezë. Në një ceremoni madhështore të 9 viteve më parë në Sheshin “Shën Pjetri” në Vatikan, Papa Françesku, njohu dy mrekullitë e Nënë Terezës, të shërimit të të sëmurëve pas vdekjes së saj më 1997-ën. Shenjtërimi pasoi Lumturimin më 19 tetor 2003 në Vatikan nga Papa Gjon Pali II. Shenjtërimi i Nënë Terezës është festë zyrtare në Shqipëri, ditë pushimi.

Me gjak, unë jam shqiptare. Me shtetësi, jam indiane. Me besim, unë jam një murgeshë Katolike. Sipas profesionit tim, unë i përkas botës. Për nga zemra ime, unë i përkas plotësisht Zemrës së Jezusit, janë fjalët e thëna nga Nënë Tereza, që jetën e saj ia kushtoi të varfërve.

Anjezë Gonxhe Bojaxhiu, e cila më vonë e ndryshoi emrin në Nënë Tereza, lindi me 1910 nga prindër shqiptarë. Ajo i mori mësimet e para në një shkollë në qytetin e Shkupit dhe në moshën 18 vjeçare u dorëzua murgeshë. Pasi u specializua në Irlandë u vendos në Indi, ku në vitin 1950 themeloi urdhrin e saj të murgeshave të quajtur Misionaret e Bamirësisë.

Nga ky moment Nenë Tereza do të bëhej nënë e të gjithëve dhe jetën e saj do t’ia dedikonte tërësisht të varfërve. Urdhri i Nënë Terezës numëron mbi 4 mijë misionare dhe është shtrirë në mbi 100 vende të botës. Nëne Tereza nuk e pranoi asnjëherë famën e vazhdimisht se gjithçka e bënte për hir të dashurisë së Zotit.

26 gushti 2025 shënoi 115-vjetorin e lindjes së Shenjtës Tereza, ikonës shqiptare të dashurisë e humanizmit, shërbëtores së përkushtuar ndaj të varfërve e nevojtarëve, e cila e shndërroi botën e mjerimit përmes shërbimit të saj të pakursyer e dashurisë së pashtershme.

Nënë Terezës, me shtat imcak, por me besim shkëmbor, të patundur, iu besua misioni të kumtonte dashurinë e etur të Jezusit për njerëzimin, veçanërisht për më të varfërit ndër të varfër.

Hyji vijon ta dojë botën dhe na dërgon ty e mua  për t’u shprehur të varfërve dashurinë dhe mëshirën e Tij. Në shpirtin e saj, përplot me dritën e Krishtit e me dashuri të zjarrtë për Të, kishte një dëshirë të vetme: të shuante etjen e dashurisë së Tij për shpirtrat njerëzorë.